Shkruan: Leutrim Sahiti, Sociolog
Formatet televizive si Big Brother VIP Kosova dhe Big Brother VIP Albanian janë eksperimente sociale ku individë pranojnë me vetë dëshirë që të marrin pjesë në një eksperiment i cili ka një skenar të shkruar dhe ku njerëzit brenda tyre vihen në situata loje, ku shpërfaqin personalitetin dhe identitetin e tyre.
Në këto formate njerëzit brenda tyre tregojnë histori që ju kanë ndodhur më herët por në raste të caktuara edhe manipulojnë me situata të ndryshme nga e kaluara e tyre për të fituar mbështetje dhe popullaritet.
Sjelljet e individët brenda këtyre formateve ndikohen në masë të madhe nga lojrat dhe rrethi në të cilin jetojnë andaj edhe ata bëjnë vepra që në jetën e tyre reale vështirë se do t’i bënin.
Problemi i këtyre formateve qëndron se shpeshherë krijojnë situata të imponuara që individë të caktuar ndikohen nga to dhe bëjnë veprime përtej realitetit që jashtë nuk do t’i kishin bërë kurrë dhe posa dalin jashtë e kuptojnë gabimin e tyre dhe shohin një realitet ndryshe, fillojnë të mendojnë me arsye dhe vlerësojnë situatat në mënyrë objektive.
Me një fjalë, në formate të tilla gjërat gjykohen në mënyrë subjektive, të ndikuara nga lojrat dhe rrethi dhe arsyeja e individëve në raste të caktuara pushon së funksionuari.
Për shoqërinë tonë formatet e tilla janë mjaftë tërheqëse sepse nuk jemi mësuar t’i shohim më herët dhe ende jemi të ndikuara nga to mirëpo në një të ardhme jo të largët këto formate do të humbin relevancën e tyre dhe interesimi për t’u bërë pjesë e tyre apo për të ndjekur do të bie dukshëm.
Ajo që për mua mbetet shqetësuese është mënyra se si zhvillohet eksperimenti dhe loja brenda, në çfarë situatash detyrohen të dalin individët brenda formatit, prapaskenat që zhvillohen, mënyra se si banorët shpërfaqin personalitetin dhe indentitetin e tyre dhe të familjes.
Shqetësim tjetër është edhe mënyra se si opinioni publik imiton sjelljet që zhvillohen në format dhe mundohen që ato t’i përvetësojnë sikur të ishin përnjemend vlera.
Ekspozimi i fëmijëve para këtyre formateve televizive është jashtëzakonisht i dëmshëm dhe ndikon direkt në ndërtimin e personalitetit të tyre dhe mënyren se si do t’i përceptojnë ata gjërat dhe si do të sillen në raport me tjetrin.
Shikueshmëria enorme e këtyre formateve tregon edhe mënyren se si ne vendosim që ta shpenzojmë kohën dhe sa pak ne jemi të orientuar në punë, zhvillim, shkencë, edukim të fëmijëve dhe arsimin në njerën anë dhe sa shumë jemi të orientuar në përmbajtje të tilla dhe e dini se përse ndodhë kjo?
Sepse shoqëritë si kjo e jona me një vetëdije të ulët emancimi dhe arsimimi pranojnë përmbajtjet që më lehtë i kuptojnë dhe që nuk kërkojnë mendim kritik, analizë dhe studim.