Lista Serbe reagon pas betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut
Lista Srpska ka reaguar pas betimit të kryetarit të ri të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Kjo parti e ka cilësuar si okupim të kësaj komune. Albin Kurti duhet të ndalë përndjekjen e serbëve, ose pas 1 qershorit do të tregojnë format e tyre të rezistencës, kanë thënë ata.
Igor Simiq, në një konferencë për media, së bashku me katër ish-kryetarët e komunave në veri të vendit, ka paralajmëruar veprime pas 1 qershorit.
“Sot ka filluar okupimi i veriut zyrtarisht, ne jemi për ta ruajtur paqën por durimit i ka ardhur fundi, andaj i japim afat Albin Kurtit që deri më 1 qershor të ndaloj represionin, përndjekjen, arrestimin e serbëve dhe të tjera. Nëse kjo nuk ndalet deri më 1 qershor, ne do të tregojmë format tona të rezistencës”, tha Simiq pa dhënë detaje për çfarë rezistence bëhet fjalë.
Simiq tha se serbët nuk kanë asgjë kundër shqiptarëve, por kundër çasjes së kryeministrit Kurti ndaj serbëve.
Kujtojmë se sot në një seancë solemne, në ambientet e Komunës në veri të Mitrovicës dha betimin kryetari i ri i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. E veçanta ishte se flamuri i shtetit u vendos për herë të parë në këtë objekt.