Ktheheshin nga Aeroporti i Shkupit, por ranë në lumë / Vazhdojnë kërkimet për familjen Pacolli (VIDEO)
Katër anëtarët e familjes Pacolli nga Kosova, ktheheshin nga Shkupi drejt Prishtinës, por fatkeqësisht, në rrugën Shkup – Bllacë humbin kontrollin e automjetit dhe bien direkt në rrjedhën e lumit Lepenc, informon nga terreni Klan Macedonia.
Gazetari i KlanM, Furkan Saliu ndodhet në vendngjarje që nga momentet e para të aksidentit, duke sjellur detaje të reja nga kërkimet. Vetëm njëri nga udhëtarët ka arritur të shpëtojë mrekullisht. Ende po bëhen përpjekje për gjetjen e tre personave tjerë.
“Kanë qenë duke u kthyer prej aeroporti. Kanë marrë familjarë të tyre në Aeroportin e Shkupit dhe kanë qenë duke u kthyer për në Kosovë. Është mrekuli në vete se si ka shpëtuar 20 vjeçari dhe se si ka arritur të largohet nga vetura. Në bazë të informatave që i kam, ai veçmë ka folur me prokurorin dhe policinë. Ka thënë që ka dalu nga vetura, jo këtu ku ka rënë, por diku 30-40 metra më poshtë dhe i ka thënë prokurorisë dhe policisë se lumi e ka marrë veturën”, rrëfen direkt nga terreni gazetari i Klan Maqedonisë, Furkan Saliu.
Në terren janë edhe zjarrfikësit nga Çairi dhe vullnetarë të tjerë. Edhe pse sugjerimet nga ekspertët e policisë janë që të ndërpritet kërkimi dhe të pritet zbardhja e ditës, kërkuesit nuk dorëzohen./KlanMacedonia