Deklarohen të pafajshëm të akuzuarit për vrasjen e rëndë në 2022-ën në Baks të Skenderajt
Mitrovicë- Të akuzuarit për vrasje të rëndë në bashkëkryerje të viktimës B.M., Shukri dhe Rexhep Rexhepi, janë deklaruar të pafajshëm në shqyrtimin fillestar të së hënës në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.
Të njëjtit po akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa i akuzuari Shukri Rexhepi e pranoi fajësinë për këtë vepër, e i njëjti pranim i fajësisë u miratua nga gjykata, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kurse, i akuzuari Rexhep Rexhepi u deklarua i pafajshëm për të dy veprat penale që i vihen në barrë.
Ndërsa, për vrasje në tentativë të Shukri Rexhepit, dhe për armëmbajtje pa leje u deklarua i pafajshëm i akuzuari Fiton Musliu.
Po ashtu, për armëmbajtje pa leje po akuzohet edhe Agim Musliu, i cili e pranoi fajësinë në shqyrtimin fillestar të së hënës, pranim ky që u miratua nga gjykata.
Ndryshe, të pranishëm në seancën e së hënës ishin prokurori i shtetit Shpëtim Peci, i akuzuari Shukri Rexhepi me mbrojtësin e tij, avokatin Mahmut Halimi, i akuzuari Rexhep Rexhepi me mbrojtësin e tij, avokatin Shyqyri Syla, i akuzuari Fiton Musliu me mbrojtësin e tij, avokatin Gani Rexha, i akuzuari Agim Musliu me mbrojtësen e tij, avokaten Shqipe Mehmeti, si dhe i dëmtuari Labinot Ademi dhe mbrojtësi i viktimave, Isa Aruqi.
Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Shukri Rexhepi, avokati Mahmut Halimi i kërkoi gjykatës që dy të akuzuarit Rexhepi të njoftohen me përmbajtjen e video-incizimit të vendit të ngjarjes.
Ky propozim u miratua nga gjyqtari i rastit Mentor Hajraj, nga ku seanca u ndërpre për 15 minuta.
Tutje, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Peci, dhe pas leximit të të drejtave të të akuzuarve dhe të dëmtuarit në procedurë nga gjyqtari Hajraj, palët u deklaruan në lidhje me fajësinë për veprat që iu vihen në barrë.
I akuzuari Shukri Rexhepi, deklaroi se nuk e pranon fajësinë për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, duke shtuar se gjithcka e ka bërë në vetëmbrojtje, por i njëjti e pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje, pranim ky që u miratua nga gjyqtari Hajraj, ndërsa shpallja e vendimit për këtë pikë të akuzës do të bëhet në fund të shqyrtimit gjyqësor.
Ndërsa, i akuzuari Rexhep Rexhepi, deklaroi se nuk është fajtor për veprat penale që i vihen në barrë.
Tutje, edhe i akuzuari për vrasje në tentativë të Shukri Rexhepit dhe armëmbajtje pa leje, Fiton Musliu, u deklarua i pafajshëm.
Ndryshe, Agim Musliu e pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje, duke shtuar se arma ka qenë e tij.
Pranimi i fajësisë së të njëjtit u miratua nga gjyqtari Mentor Hajraj, pasi u plotësuan të gjitha kushtet ligjore, ndërsa shpallja e aktgjykimit ndaj të njëjtit do të bëhet sot në ora 14:00.
Tutje, gjykata morri vendim për vecimin e procedurës ndaj të njëjtit, pas propozimit të prokurorit, me arsyetimin se i njëjti mund të propozohet në cilësi tjetër gjatë fazave të radhës së shqyrtimit gjyqësor.
Në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Rexhep Rexhepi, avokati Shyqyri Syla, i propozoi gjykatës që të ndërpresë masën e paraburgimit ndaj të mbrojturit të tij, me arsyetimin se veprat penale për të cilat akuzohet i njëjti nuk kanë mbështetje në provat e lëndës.
Gjyqtari Hajraj njoftoi se në lidhje me këtë propozim do të vendosë jashtë seancës.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 19 qershor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Shukri Rexhepit, Rexhep Rexhepit, Fiton Musliut dhe Agim Musliut.
Në pikën e parë të aktakuzës, Shukri Rexhepi dhe Rexhep Rexhepi akuzohen se më 23 korrik 2022 rreth orës 18:45 në fshatin Baks, Komuna Skenderaj, me dashje, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta viktimën B.M, si dhe kanë plagosur të dëmtuarin Labinot Ademi, ashtu që pas një fjalosjeje që ka ndodhur më herët ndërmjet djalit të mitur të Rexhep Rexhepi, F.R, i cili rreth 5 minuta para ngjarjes kishte drejtuar automjetin e tipit “Audi A6” me shpejtësi të lartë afër shtëpisë së viktimës B.M. dhe në atë moment kishte ndërhyrë vëllai i viktimës, Agim Musliu, duke e goditur automjetin e të pandehurit Rexhep Rexhepi me një shkop të drurit dhe pas kësaj i mituri i kishte njoftuar të pandehurit lidhur me rastin.
Sipas aktakuzës dy të pandehurit kanë marrë pushkën automatike AK-47 dhe me veturën e njëjtë të tipit “Audi A6” ngjyrë hiri, kanë shkuar tek shtëpia e viktimës dhe posa janë afruar, te pandehurit Shukri Rexhepi dhe Rexhep Rexhepi kanë dalë nga vetura në atë mënyrë që i pandehuri Shukri me dashje që t’i privojë nga jeta personat e familjes Musliu që kanë qenë në vendin e ngjarjes, ka filluar të shtije më pushkë automatike AK-47 në drejtim të tyre, ndërkaq i pandehuri Rexhep ka filluar kacafytjen me të dëmtuarin Agim Musliu, e për pasoje i pandehuri Shukri si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka privuar nga jeta viktimën B.M.
Me këtë ata ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje” nga neni 173 par.1 pika 1.5 e lidhur me nenin 31 te KPRK.
Në pikën e dytë të aktakuzës, Shukri Rexhepi akuzohet se më 23 korrik 2022 rreth orës 18:45 në fshatin Baks, Komuna e Skenderajt, ka mbajtur në posedim armë të zjarrit dhe atë pushkë automatike AK-47 me nr. serik 7469 dhe një karikator në kundërshtim me Ligjin për Armë, te cilën e ka përdorur si ne dispozitiv numër I, ashtu që arma e njëjtë, me pastaj gjatë urdhër-kontrollit është konfiskuar nga ana e policisë ne shtëpinë e te njëjtit.
Me këtë ai ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 te KPRK-se
Po ashtu, edhe Rexhep Rexhepi akuzohet se më 23 korrik 2022 rreth orës 18:45 në fshatin Baks, Komuna e Skenderajt, ka mbajtur në posedim armë të zjarrit dhe atë pushkë automatike AK-47 dhe një karikator në kundërshtim me Ligjin për Armë, ashtu që arma e njëjtë me pastaj gjatë urdhër- kontrollit është konfiskuar nga ana e policisë në shtëpinë e përbashkët të të pandehurve Shukri dhe Rexhep Rexhepi.
Me këtë i lartcekuri ngarkohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 te KPRK-së.
Në dispozitivin e katërt të aktakuzës, Fiton Musliu akuzohet se më 23 korrik 2022 rreth orës 18:45, në fshatin Baks, Komuna Skenderaj me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes mirëpo që e njëjta ka mbetur në tentativë, ashtu që i njëjti ka shkrepur me pushkë të gjuetisë me qellim që ta privojë nga jeta Shukri Rexhepin, në atë mënyrë që pasi i pandehuri si në dispozitiv të pikës I të kësaj aktakuze shtie fillimisht në drejtim të viktimës B.M, i pandehuri Fiton niset për në shtëpinë ku e kishte vendbanimin dhe pas përfundimit të sulmit nga i pandehuri Shukri, i njëjti merr armën e lartëcekur nga shtëpia e tij dhe me të njëjtën nga një afërsi 3-4 metra shtie në drejtim të të dëmtuarit, në këtë rast Shukri Rexhepit, dhe të njëjtin e godet e si pasojë e goditjes nga predha të njëjtit i ka shkaktuar plagë në regjionin e majtë të pjesës së poshtme të shpinës me gjak-mbledhje nën-lëkurore në indet e buta përreth, të cilësuara si lëndime të lehta në bazë të raporteve mjekësore.
Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.
Po ashtu, Fiton Musliu akuzohet se më 23 korrik 2022 rreth orës 18:45 në fshatin Baks, Komuna e Skenderajt, ka mbajtur në posedim armë të zjarrit dhe atë pushkë e gjuetisë në kundërshtim me Ligjin për Armë, te cilën e ka përdorur si në dispozitiv numër I, ashtu që arma e njëjtë me pastaj është konfiskuar nga ana e policisë.
Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 te KPRK-së
Në dispozitivin e fundit, Agim Musliu akuzohet se nga data e papërcaktuar e deri më 23 korrik 2022 rreth orës 18:45, në fshatin Baks, Komuna Skenderaj ka mbajtur në posedim armë të zjarrit pushkë e gjuetisë në kundërshtim me Ligjin për Armë, ashtu qe te njëjtën e ka mbajtur ne shtëpinë e tij deri ditën kur është përdorur si ne dispozitivin numër V të kësaj aktakuze.
Me këtë ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 te KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.