SOCIALE
TOP LAJMI

Të rinjtë në Kosovë shtyjnë martesën, sociologu tregon shkaqet

Në Kosovë ka rënë numri i kurorëzimeve, të rinjtë po e shtyjnë martesën dhe kjo sipas sociologëve po ndodhë për shkak se ata duan kushte më të mira ekonomike.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se krahasur me vitet paraprake, numri i kurorëzimeve ka rënë dukshëm.

Të rinjtë e Kosovës po shtyjnë martesën, ndërsa kjo më së shumti është vërejtur të burrat se sa të gratë.

Sociologu Leutrim Sahiti ka thënë për Telegrafin se krahas rënies së natalitetit ka rënie edhe të numrit të kurorëzimeve.

“Sa i përket lidhjeve martesore, e vetmja mënyrë për të matur ato është numri i kurorëzimeve të regjistruara dhe kjo sigurisht që nuk na jep numrin e saktë edhe të atyre që janë të martuar faktikisht por nuk kanë lidhur kurorë. Është e qartë që me rënien e natalitetit dhe popullsisë në përgjithësi ka rënë edhe numri i kurorëzimeve në shtetin tonë dhe nëse i krahasojmë të dhënat e fundit, ato të vitit 2020 me ato të 10 viteve me parë, pra 2010, del se 13 vite me parë kemi pasur 18289 kurorëzime kurse në vitin 2020 kemi pasur 13463 kurorëzime, pra gati 5 mijë kurorëzime më pak”, ka thënë ai për Telegrafi.

Sahiti ka thënë se referuar statistikave, shtyrja e martesave është vërejtur më shumë te burrat se të gratë.

“Për të dalë te tema se a po shtyhen martesat te të rinjtë e Kosovës, referuar statistikave del se po, kemi shtyrje të moshës së martesës, por kjo është e shfaqur më shumë te burrat se të gratë, të cilat po martohen në moshë më të re. Martesat e hershme te vajzat lidhen me pozicionin e tyre në shoqëri dhe pamundësitë e tyre që të ndjekin shkollimin e lartë dhe karrierën”, është shprehur ai.

Sociologu ka thënë se para 10 vitesh në Kosovë gjendja ka qenë më diskriminuese për vajzat të cilat janë martuar në moshën 18 vjeçare.

“Referuar statistikave të vitit 2010 del se në atë vit kemi pasur rreth 120 vajza që janë martuar nën moshën 18 vjeçare. Përkundër kësaj nuk kemi pasur asnjë djalë që është martuar në këtë moshë. Vajza të martuara në moshën 18 vjeçare i kemi pasur 482 kurse djem vetëm 43. Kjo tregon shumë për gjendjen diskriminuese në të cilën kanë qenë vajzat 13 vite me parë në Kosovë, por që fatmirësisht gjërat kanë filluar të ndryshojnë për të mirë”, shpjegoi ai.

Ai foli gjithashtu edhe për martesat e vitit 2020, duke thënë se para moshës 18 vjeçare kanë pasur vetëm 11 vajza të kurorëzuara kurse vetëm një djalë.

“Vajza të martuara në moshën 18 vjeçare në 2020 i kemi pasur 232 kurse djem vetëm 11”, tha mes tjerash ai.

Sahiti për Telegrafin tregoi moshën mesatare të djemve dhe vajzave të martesave.

“Bazuar në statistikat e fundit rreth kurorëzimeve del se shtyrja e martesave po bëhet në shumë nga burrat se nga gratë. Mosha mesatare e burrave të martuar sillet rreth 30 vjeç kurse e grave rreth 23 vjet. Nëse këto të dhëna i krahasojmë me ato të vitit 2010 del se kemi një rritje të moshës së grave që vendosin të martohen në moshë më të rritur por ende shqetësim mbeten martesat e hershme te vajzat në Kosovë”, sqaroi ai.

Sociologu Sahiti u ndal edhe të arsyet që bëjnë që të rinjtë të shtyjnë martesën.

“Arsyet kryesore të shtyrjes së moshës së martesës te meshkujt lidhen me karrierën, realizimin e planeve të jetës, zgjidhjen e problemit të punësimit si dhe krijimi i kushteve më të mira ekonomike para se të lidhin martesë. Realizmi i martesave të hershme te gratë lidhet me statusin e tyre sociale në shoqëri, mentalitetin patriarkal që gratë duhet të martohen herët sepse “nëse iu shtyhet mosha e martesës mund të mbesin pa u martuar”, imponimi familjar dhe shoqëror që gratë duhet të kujdesen për familjen dhe nuk duhet dhënë shumë pas karrierës.

Këto në përgjithësi janë shkaqet pse kemi një shtyrje të martesave te meshkujt dhe martesa të hershme te grate”, potencoi ndër tjera ai.

Ndryshe, demografi Sami Behrami ditë më parë në një intervistë për Telegrafin u shpreh i shqetësuar se në Kosovë ka rënie të natalitetit dhe numër të madh të emigrimit.

Behrami potencoi se nëse nuk merren masa konkrete, Kosova do të përballet me pasoja.

“Trendët demografike në Kosovë në 10 vjeçarin e fundit janë shqetësuese. Kosova në njërën anë po përballet me trend shumë të ulët të lindshmërisë dhe me fluks të madh të emigranteve. Në shkencën e demografisë kur një vend ka lëvizje të tilla demografike, karakterizohet si vend në krizë demografike. Prandaj, lirshëm mund të themi se Kosova është futur në krizë demografike e cila kërkon rrugë zgjidhje”, është shprehur ai.

Sipas një raporti të publikuar nga OKB, Kosova në vitin 2100 do të jetë vendi i dytë me popullsinë më të vjetër në Ballkan.

Back to top button