Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi” e kanë ndërprerë grevën – e cila nisi më 13 mars – pasi kërkesa për rritjen e pagave u është plotësuar.
Në njoftimin e kompanisë thuhet se vendimin për rritje e mori Bordi i Drejtorëve në mbledhjen e jashtëzakonshme.
Florim Cakiqi, kryetar i Sindikatës së punëtorëve, i tha dje Radios Evropa e Lirë se pagat e punonjësve fizikë në këtë kompani janë 330 euro, kurse kërkesa e tyre është që kjo vlerë të arrijë 400 euro.
Në vendimin e publikuar, përveç punëtorëve fizikë, pagat për 70 euro janë rritur edhe për shumicën e pozitave tjera, si: vozitës, kryepunëtor, autolarës, autoelektricist, shtëpiak etj.
Në njoftim thuhet se “ekipet kanë dalë në terren për të vazhduar me grumbullimin dhe largimin e mbeturinave” dhe se kryerja e shërbimit të mbledhjes së mbeturinave do të vazhdojë sipas planit dhe orarit ë rregullt operativ.
Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”, numëron 863 punëtorë, duke përfshirë edhe administratën.
Kjo kompani ofron shërbime në gjashtë komuna të Kosovës, përfshirë kryeqytetin, Prishtinën, pastaj në Fushë Kosovë, Lipjan, Drenas, Obiliq dhe Podujevë.