Përkundër rritjes së kostos së jetës, përfshirë çmimeve të produkteve e rrymës elektrike, kosovarët vazhdojnë të jenë të lumtur. Madje, duket se varfërimi si pasojë e inflacionit, nuk është se u ka lënë shumë përshtypje, pasi ata janë më të lumtur se në vitet paraparake. Në raportin e lumturisë për vitin 2023, kosovarët kanë avancuar në rënditje.
Në këtë raport që flet për gjendjen e lumturisë në botë, e që organizohet që 10 vite, kosovarët rënditen lartë në hierarkinë e lumturisë. Më saktësisht, ndërmjet viteve 2020-2022, kosovarët, sipas raportin, janë në vendin e 34 në botë për lumturi, ndonëse kanë të ardhurat për kokë banori ndër më të vogla në kontinentin evropian.
Në tabelën e mëposhte, mund të shihet që Kosova qëndron mirë në krahasim me rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përveç Sllovenisë, e cila është në vendin e 22 në botë për lumturinë, Kosova është e renditur më së larti. Ndërsa Shqipëria është renditur shumë më keq se Kosova, duke u listuar në vendin e 83, Serbia në vendin e 45, Maqedonia e Veriut në vendin e 87, Mali i Zi në vendin e 67 e kështu me radhë. Kosova qëndron në listë edhe më mirë se Kroacia e Bosnia e Hercegovina.
Por pse kosovarët janë kaq të lumtur?
Sociologu Leutrim Sahiti, në një prononcim për “Nacionale” tha se raporti është më shumë shënjon përceptimet e qytetarëve se sa matjen e saktë të lumturisë së tyre, duke shtuar se ka dallim mes asaj se çka është lumturi në Kosovë e në shtetet e tjera.
“Pra kjo varet nga pritjet dhe kërkesat që kanë qytetarët dhe çka i bënë ata të lumtur. Te ne, marrë parasysh vuajtjet shekullore nëpër të cilat ka kaluar shoqëria jonë që nga sigurimi i bukës së gojës e deri të liria, sigurisht që tash kur kemi lirinë dhe kemi të ardhura sa për të bërë një jetë mesatare, njerëzit sigurisht që do të shprehen të lumtur sepse këtë nivel të jetës që kanë sot nuk e kanë pasur kurrë, këtë liri, këto të drejtë, këto mundësi për të shëtitur, për të parë botën dhe për t’u argëtuar nga mundësitë që ofron sot globalizimi dhe interneti në veçanti nuk i kanë pasur kurrë.” – theksoi z.Sahiti.
Tutje, sociologu deklaroi se për shumë qytetarë, çlirimi dhe jeta e pasluftës janë kohë të “majave të lumturisë”. Sahiti vlerësoi se për shkak të pritshmërive të vogla nga jeta dhe mungesës së vizionit për të ardhmen, kërkesat e qytetarëve janë simbolike.
“Krahas kësaj arsyeja e kësaj renditje të Kosovës në indeksin e lumturisë lidhet edhe me atë që ne si shoqëri kënaqemi më pak. Një punë dhe pagë sado e vogël, një veturë sado e vjetër, një telefon i mençur, një kafe çdo mëngjes në kafiteri dhe kryesorja një lidhje e mirë mes qifteve është e mjaftueshme që të jemi të “lumtur”. Pra lumturinë e cilësojmë si diçka shumë subjektive dhe në të nuk p nuk përfshijmë problemet që ka shoqëria dhe shteti.” – deklaroi z.Sahiti.
Ndryshe, kujtojmë që nga 1 prilli, Zyra e Rregullatorit për Energji ka ngritur çmimin e fatyrës së rrymës për 15 për qind. Një gjë e tillë, u pa si një goditje ndaj qytetarëve, të cilët janë përballur me rritjen e kostos së jetës gjatë dy viteve të fundit.