Plas sherri për pronë mes familjes Gashi në Mramor-Prishtinë Policia kryen bastisje – gjenden armë e 50 fishekë
Mosmarrëveshjet për prona po vazhdojnë të shkaktojnë përleshje e telashe të shumta mes qytetarëve, e madje të përfundojnë edhe tragjikisht, siç ndodhi së fundmi në Gjakovë, ku u vranë dy vëllezër. Të tilla raste zakonisht nisin me zënka e konflikte verbale, e më pas eskalojnë edhe në përleshje e kanosje serioze, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe së fundmi në fshatin Mramor të Prishtinës, ku disa anëtarë të familjes Gashi janë futur në sherr me njëri-tjetrin.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy prej tyre po dyshohen për kërcënimin e dy viktimave, po ashtu anëtarë të familjes Gashi, për shkak të një prone, që u bë mollë sherri mes tyre dhe eskaloi në kanosje serioze.
Sipas informacioneve të para, mes dy palëve fillimisht ka nisur një zënkë, por për shkak se të njëjtit s’janë marrë vesh, i dyshuari kryesor i ka kërcënuar viktimat.
Shtëpia e të dyshuarit kryesor është bastisur nga Policia, me ç’rast janë gjetur dy armë dhe rreth 50 fishekë, që janë sekuestruar si dëshmi lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre për rastin për të cilin dyshohen.
Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit në drejtim të veprës penale “Kanosje”.