SOCIALE

Pasiguria e nxënësve në shkolla, shkaqet dhe pasojat

Dhuna në shkolla vazhdon të jetë problem në të gjitha shtetet e shoqëritë e botës. Diku në masë më të vogël e diku në masë më të madhe. Sikurse në shtetet e shoqëritë zhvilluara më shumë, ashtu edhe ato të zhvilluara më pak. Me një dukuri të tillë negative është duke u ballafaquar edhe Republika e Kosovës.

Adresimet nga ambientet arsimore vazhdojnë të japin shifra alarmante. Numri i rasteve të dhunës rezulton të jetë i madh bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës. Mjediset ku nxënësit do të duhej të ishin të qeta, të sigurta e të barabarta, janë shndërruar në mjedise brengosëse për nxënësit dhe shoqërinë.

Pushtetet qeveritare nuk i kanë paraprirë sigurisë në shkolla përmes planeve vepruese e konkretizuese. Mungesa e shtrirjes së një strategjie shtetërore në teren me plan afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë ka bërë që në tempujt e dijes niveli i sigurisë për nxënësit të jetë i pasigurt.

Deri më tash janë përgatitur tri Strategji të Arsimit, kurse sa i përket sigurisë në shkolla nuk e kanë gjetur zbatueshmërinë e duhur. Duhet theksuar se Strategjia e Arsimit 2022-2026 është vazhdimësi e Strategjisë së Arsimit 2011-2016 dhe Strategjisë së Arsimit 2017-2021.

Policia e Kosovës për “Fol Drejt“, ka konfirmuar se nga viti 2013 e deri në vitin 2022, janë regjistruar 4 mijë e 775 incidente dhe raste të dhunës në shkolla. Përmes kërkesës me shkrim dhe kërkesës për qasje në dokumente publike, janë kërkuar të dhëna se sa nxënës e kanë humbur jetën nga plagët e marra shkaku i dhunës në shkolla dhe rreth shkollave, por nga Policia e Kosovës nuk kanë dhënë përgjigje shumë të detajuara, për arsye konfidenciale.

Nga ana tjetër, vetëm në muajt e parë të vitit 2023, janë raportuar 147 raste të dhunës në shkolla. Bazuar në këto të dhëna, vërehet që nga viti në vit, numri i rasteve të dhunës në shkolla mbetet shqetësues. Vetëm gjatë vitit 2022, bazuar në raportin e Policisë së Kosovës, janë adresuar 592 raste të dhunës në shkolla. Shifra më të mëdha të dhunës në shkolla kanë ndodhur në vitin 2017, gjithsej 594 raste.

Burimet nga Policia e Kosovës për vitin 2022, raportojnë se bëhet fjalë për lëndime të lehta trupore, lëndime të rënda trupore, posedim të armëve të zjarrit, posedim të armëve të ftohta, posedim të gjërave të rrezikshme, kanosje, sulme dhe ngacmime seksuale.

Policia e Kosovës bënë me dije se janë duke punuar në vazhdimësi për të parandaluar veprat penale të të gjitha llojeve, si dhe për të parandaluar incidentet në shkolla dhe përreth shkollave.

“Policia e Kosovës, me njësitet e saj në vazhdimësi po punon për ruajtjen e rendit dhe menaxhimin e sigurisë publike në vend. Po ashtu, janë duke u marrë veprime konkrete në funksion të parandalimit dhe luftimit të veprave penale të të gjitha llojeve. Qëllimet kryesore që policia ka synuar dhe synon t’i arrijë ndër të tjera janë edhe: krijimi i një klime më të sigurt për nxënësit dhe personelin arsimor në të gjitha nivelet arsimore, bashkërendimi i aktiviteteve ndër-institucionale, parandalimi dhe zvogëlimi i incidenteve në shkolla dhe objektet ne rrethinën afër shkollave“, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

 

Tutje, Policia e Kosovës shton që në fillim të çdo viti shkollor hartojnë dhe aktivizojnë plane operative për parandalimin e dukurive negative dhe ngritjen e sigurisë në shkolla.

“Plani parasheh parandalimin, identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar si dhe marrjen e masave ndaj personave që nuk janë nxënës e që sillen afër shkollave dhe në hapësirat e shkollave. Policia e Kosovës në fillim të çdo viti shkollor harton dhe aktivizon Plane Operative me qëllim të parandalimit të dukurive negative në shkolla dhe ngritjes së nivelit të sigurisë. Gjithashtu, edhe nga Drejtoria e Policimit në Bashkësi dhe Preventivë në vazhdimësi realizohen projekte të ndryshme sensibilizuese dhe parandaluese në shkolla“.

Në raportet policore janë regjistruar këto raste të dhunës në shkolla për periudhën 10 vjeçare, 2013-2022: Në vitin 2013 (387 raste), në vitin 2014 (512 raste), në vitin 2015 (567 raste), në vitin 2016 (522 raste), në vitin 2017 (594 raste), në vitin 2018 (477 raste), në vitin 2019 (490 raste), në vitin 2020 (221 raste), në vitin 2021 (413 raste), në vitin 2022 (592 raste).

Pukjana Geci, psikologe, nga këndvështrimi i saj si profesioniste shëndetësore, ka zbërthyer në hollësi shkaqet e dhunës, mënyrat e faktorët që sjellin dhunë, si dhe alternativat për ta parandaluar dhunën në shkolla.

“Dhuna dhe ngacmimet mes nxënësve, sulmet ndaj mësimdhënësve, përdorimi i armëve dhe dëmet që shkaktohen në mjediset edukativo-arsimore, tashmë janë bërë problem në shkollat tona. Dhuna në shkolla mund të shfaqet në disa forma ku bëjnë pjesë: dhuna fizike, psikologjike e seksuale. Dhe mund të kryhen nga stafi ose bashkëmoshatarët. E këto situata janë brengosëse për nxënësit, prindërit, sikurse për mësimdhënësit e shoqërinë“.

Sipas Gecit, parandalimi i dhunës kërkon mobilizim të lartë shtetëror për ta parandaluar dhunën në ambientet shkollore që të mos ketë pasoja për nxënësit.

“Fakti që ky fenomen është i pranishëm jo vetëm në shkollat e mesme, por edhe në shkollat fillore, është edhe më shqetësues. Nuk janë të paktat rastet kur sulmet dhe përleshjet përfundojnë tragjikisht duke marrë jetë nxënësish. Si e tillë dhe e dëmshme për çdo shoqëri, çrrënjosja e dhunës kërkon mobilizim dhe përkushtim të institucioneve shtetërore për ta parandaluar dhe për ta trajtuar me efikasitet. Në të kundërtën, neglizhenca dhe mosveprimi i imstitucioneve paraqet shkeljen e të drejtave të njeriut e që garantohet me konventat ndërkombëtare“.

Pukjana Geci i specifikon disa faktorë të cilët ndikojnë direkt a tërthorazi, ku krijohen sjellje të dhunshme.

“Ka faktorë të ndryshëm që ndikojnë në rritjen e dhunës. Mungesa e disiplinës: nëse nuk ka klimë të mirë të disiplinës dhe rregullave në një shkollë, mund të ndodhë që disa studentë a nxënës të abuzojnë me fuqinë e tyre dhe të krijojnë situata të dhunshme.

Trajtimi i keq në familje: nëse një nxënës ka një histori të trajtimit të keq në familje, si abuzim fizik ose emocional, atëherë ai ose ajo mund të kenë një prirje të lartë të dhunës ndaj të tjerëve.

 

Ndikimi i mediave dhe internetit: në kohën moderne, shumë të rinj janë të ekspozuar ndaj mediave dhe internetit në mënyra të ndryshme si lojëra, video, muzikë ose video online. E disa nga këto mënyra mund të përmbajnë mesazhe të dhunshme dhe të promovojnë sjellje të tilla.

Mungesa e kujdesit dhe mbikëqyrjes nga prindërit dhe mësuesit: nëse një nxënës nuk kujdes të mjaftueshëm e mbikëqyrje nga prindërit dhe mësuesit, ai ose ajo mund të ndjehet më pak e rëndësishme dhe e padëgjuar, e kështu mund të ketë prirje të mëdha të sjelljeve të ndryshme, madje edhe sjellje të dhunshme“.

Janë disa indikatorë që ndërlidhen me faktorët e brendshëm e të jashtëm njerëzor, ku rrjedhimisht prodhojnë individë të cilët mund të jenë potencialisht të prirur për të nxitur ose shkaktuar dhunë.

“Indikatorët mund të jenë të lidhur me faktorë të brendshëm si: emocionet, ndjenjat e inferioritetit, impulsiviteti, si dhe faktorë të jashtëm si: ambiente të dhunshme në familje, presioni i bashkëmoshatarëve ose edhe eksperiencat negative të mëparshme.

Ekspozimi ndaj dhunës në familje: kur nxënësit janë prekur nga dhuna fizike, emocionale ose seksuale në ambiente familjare, ata kanë më shumë gjasa të shfaqin sjellje të dhunshme në shkollë. Ekzistenca e modelit të dhunës në familje mund të influencojë mënyrën e sjelljes së tyre në raport me të tjerët.

Trajtimi negativ ose mungesa e mbrojtjes në familje: nxënësit që kanë pasur traumë emocionale, trajtim negativ ose mungesë të mbrojtjes në familje, kanë më shumë gjasa të jenë të prirur drejt sjelljeve të dhunshme në shkollë.

Mungesa e aftësisë për të kontrolluar emocionet: nëse nxënësit nuk i kanë aftësitë e mjaftueshme për t’i kontrolluar emocionet e tyre, ata mund t’i shfrytëzojnë sjelljet e dhunshme si një mënyrë për të treguar ankthin, zemërimin ose frustrimin.

Stili i arsimit dhe ndikimi i grupit shoqëror: nxënësit që janë në kontakte të vazhdueshme me modele të dhunshme apo që janë pjesë e grupeve shoqërore të dhunshme, kanë më shumë gjasa t’i adoptojnë sjelljet e dhunshme“.

E pyetur për rolin e psikologut në shkolla, Pukjana Geci thekson që prania e tyre në shkolla kontribuon që të ketë ambient të sigurt, të besueshëm dhe pozitiv.

“Psikologu i shkollë luan rol të rëndësishëm në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të shëndetshëm nga ana psikologjike, jo vetëm për nxënësit, por edhe për mësimdhënësit. Prania e psikologut në shkollë ndikon që brenda institucionit të promovohet një mjedis i sigurt. Numri i vogël i psikologëve në institucionet shkollore nënkupton se shumë shkolla nuk e kanë këtë burim të rëndësishëm për ndihmë dhe mbështetje të nxënësve. Psikologët e shkollave ndihmojnë në krijimin e shkollave të sigurta dhe ambienteve pozitive e që ndikojnë në të mësuarit dhe sjelljet e nxënësve. Gjithashtu, mund të krijojnë mjedis të besueshëm për të nxjerrë në dritë faktorët që shkaktojnë dhunë dhe për të ndërhyrë në raste të tilla“.

 

E kaluara e individëve mes një ambienti të dhunshëm shkakton pasoja edhe në të ardhmen e tyre dhe bënë që të njëjtit të shkaktojnë dhunë në rrethin ku veprojnë ose të pësojnë probleme emocionale ose psikologjike.

 

“Si te personat që shkaktojnë dhunë, ashtu edhe tek ata që janë viktima, dhuna ka pasoja të rënda në të ardhmen e tyre. Shkaktuesit e dhunës në shkollë kanë një rrezik të lartë për të vazhduar sjelljet e tyre të dhunshme edhe në të ardhmen dhe të përjetojnë pasoja të rënda. Studimet kanë treguar që adoleshentët që shfaqin sjellje të dhunshme, kanë shumë gjasa të kenë probleme në lidhjet e tyre shoqërore dhe romantike në të ardhmen, të jenë më të prirur për të përdorur drogë dhe alkool e pastaj të kenë rrezik më të lartë për të përjetuar probleme me ligjin. Këto sjellje mund të jenë të lidhura me probleme të ndryshme emocionale dhe psikologjike siç janë ankthi dhe depresioni“.

Pasojat e dhunës tek nxënësit direkt apo tërthorazi ndikojnë në personalitetin e tyre dhe u manifestohen përmes formave të ndryshme si frika, paniku, depresioni e trazirat e vazhdueshme.

“Nxënësit që kanë përjetuar dhunë, mund të përjetojnë nivele të larta të ankthit, të cilat manifestohen në formën e shqetësimit, frikës, panikut dhe trazirave të vazhdueshme. Nxënësit që janë prekur nga dhuna, kanë më shumë gjasa të përjetojnë depresion. Ata mund të ndjehen të trishtuar, pa shpresë, të lodhur dhe të humbin interesin për aktivitete që dikur i gëzonin. Nxënësit mund të ndjehen të pavlerësuar dhe të kenë ndikim negativ në përceptimin e tyre për veten. Dhuna në shkollë mund të prekë vetëbesimin e nxënësve dhe ta zvogëlojë besimin në vetvete.

Dhuna në shkollë mund të ketë ndikim të madh në shëndetin mendor dhe emocional të nxënësve. Mund të përjetojnë stres të rënduar, ndjenjë izolimi, zbehje të emocioneve pozitive dhe ndryshime të mënyrës se si ata e shohin veten dhe botën rreth tyre. Duke u ndje të izoluar, kanë vështirësi për t’u lidhur me të tjerët dhe për të ndërvepruar me ta. Përveç këtyre pasojave, disa nxënës që përjetojnë dhunë ekstreme ose të vazhdueshme në shkollë, mund të përjetojnë edhe çrregullim të stresit pas-traumatik (ÇSTP). ÇSTP është në gjendje e cila mund të shkaktohet si rezultat i përjetimit ose dëshmimit të dhunës ekstreme dhe të vazhdueshme gjatë fëmijërisë“.

Nga dimensioni social, Ferdi Kamberi, thotë që tolerimi i dhunës dhe mos raportimi janë faktorë ndikues që bëjnë të ketë shoqëri të dhunshme ose ambient të dhunshëm e të pasigurt. Madje, edhe mediat shpesh dinë të jenë nxitëse të dhunës përmes programeve ose emisioneve që shfaqin pamje të dhunës.

“Sociologët kur flasin për dhunën, atë e shohin si fenomen shoqëror që buron prej shoqërisë dhe e përcjellë shoqërinë hap pas hapi. Tolerimi i dhunës dhe mos raportimi, padyshim se janë faktorë krucial të cilët ndikojnë që një shoqëri me qenë e dhunshme. Sot, jemi dëshmitarë të dhunës e cila shpërfaqet në familje, shpërfaqet në hapësira publike, shpërfaqet në institucionet e shkollës, por padyshim se shpërfaqet edhe në mediume. Madje, shumë studime i referohen kësaj të fundit duke krijuar kështu një korrelacion në mes të mediumeve dhe dhunës, duke ardhur në përfundim se mediat shpeshherë janë ato që në një ose tjetrën formë e nxisin dhunën, qoftë përmes programeve, filmave të ndryshëm dhe emisioneve, e kështu me radhë“.

Sipas sociologut Kamberi, varësia ndaj rrjeteve dhe mediave sociale ku shfaqen mesazhe të dhunshme, ka influencë negative në formësimin psikologjik dhe social të fëmijëve. Nga ana tjetër, mungesa e psikologëve, sociologëve dhe pedagogëve për të punuar me fëmijë ka bërë që të krijohet një ambient që nuk funksionon nën frymën e paqes e tolerancës.

 

“Në kontekstin kosovar, shohim se pjesa më e madhe e të rinjve janë të varur nga mediat sociale e sidomos TIKTOK-u i cili nuk ka ndonjë kontroll dhe si i tillë shpërfaq klipe, ngjyrime, mesazhe të dhunshme të cilat kanë ndikim jashtëzakonisht të lartë në formësimin psikologjik dhe social të fëmijëve. Në anën tjetër, në shkolla fatkeqësisht ka një numër i vogël të psikologëve, të cilët nuk kanë hapësirë që të punojnë me fëmijë, për shkak të ngarkesës dhe numrit të madh të fëmijëve, kurse punëtorët social, sociologët dhe pedagogët mungojnë dhe kemi një gjendje e cila tregon se dhuna ndërmjet bashkëmoshatarëve çdo ditë rritet dhe paraqet një problem për funksionimin normal të shoqërisë“.

Dhuna në familje apo kultura brenda komunitetit ku rritet një fëmijë, është njëri nga shumë faktorët që dërgon në sjellje të dhunshme.

“Padyshim se faktorët të cilët shpërfaqin dhunën janë të shumtë dhe llogariten një mori e faktorëve, ku ndikon edhe ambienti apo kultura ku janë rritur, kësisoj disa nga faktorët e dhunës në shkolla janë: historia e familjeve të cilat kanë pasur dhunë, fëmijët të cilët janë rritur me një prind dhe janë abuzuar, ndikimi i grupmoshave, ndikimi i mediave sociale, konfliktet brenda familjes, mos angazhimi i prindërve në trekëndëshin: prindër, shkollë dhe fëmijë. Pastaj mungesa e komunikimit të pedagogëve me prindër, mungesa e psikologëve, sociologëve, punëtorëve social në shkolla, si dhe bullizmi, paragjykimet e përdorimi i substancave psiko-aktive“.

Paragjykimi është një nga bazat e shpërfaqjes së dhunës brenda shkollës. Si rezultat i paragjykimeve vjen situata deri te bullizmi e pastaj deri tek konfliktet. Krejt kjo bënë që ato të shndërrohen në norma shoqërore dhe të duken normale.

“Paragjykimi është baza kryesore e shpërfaqjes së dhunës brenda shkollës, për shkak se vjen si rezultat i një gjykimi jo racional ndaj një individi apo grupi të caktuar. Paragjykimi lidhet ngushtë me mungesën e informacioneve, me injorancën dhe në momentin që i kemi paragjykimet, atëherë edhe sjellja e veprimet ndryshojnë dhe vjen deri tek bullizmi, konfliktet e problemet e tjera të cilat mund të manifestohen në forma dhe mënyra të ndryshme. Si rezultat i paragjykimeve, bullizmi, konfliktet dhe problemet, mund të brumosen tek individi dhe ai t’i përvetëson ato, t’i shndërron në norma dhe t’i manifeston tek të tjerët“.

Edhe hulumtimet e raporteve ku flitet për dhunën dhe sigurinë në shkolla bëjnë me dije se janë një mori faktorësh që sjellin deri te dhuna, duke i sqaruar edhe llojet e dhunës që ndodhin në ambientet e shkollimit.

Sipas raportit hulumtues “Dhuna dhe Siguria në Shkolla“, i përgatitur nga Instituti Pedagogjik i Kosovës dhe i botuar në vitin 2015 me autorë Ismet Mekolli, dhuna vjen si rezultat i disa faktorëve, ku bëjnë pjesë faktori individual, faktorët që rrjedhin nga familja dhe faktorët shoqërorë.

Në faktorin individual hyjnë: dija, qëndrimet, mendimet për dhunën, përdorimi i drogës dhe alkoolit, qenia dëshmitar i dhunës apo të qenurit viktimë e dhunës ndërpersonale, qasja ndaj armëve të zjarrit dhe armëve të tjera.

 

Në faktorët që rrjedhin nga familja hyjnë: mungesa e dashurisë dhe mbështetjes prindërore, eksperienca e dhunës në shtëpi, dënimi fizik dhe keqtrajtimi i fëmijëve, prindërit apo edhe vëllezërit e motrat, të ekspozuar në sjellje kriminale.

 

Në faktorët shoqërorë hyjnë: pabarazia shoqërore-ekonomike, urbanizmi dhe mbipopullimi, zhvillimi i shpejtë ekonomik i shoqëruar me nivel të lartë të papunësisë në mesin e të rinjve, ndikimet e mjeteve të informimit publik, normat shoqërore që përkrahin sjellje të dhunshme, disponueshmëria e armëve dhe situata e paskonfliktit.

Gjithashtu, raporti hulumtues nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, i dallon dhe kategorizon edhe llojet e dhunës. Bazuar në të dhënat e raportit, sjelljet dhunshme ndahen në disa lloje sipas formës, funksionit dhe asaj se kujt i drejtohet si: Dhuna fizike, dhuna verbale, dhuna sociale, dhuna seksuale, dhuna emocionale-psikologjike, dhuna digjitale, dhuna armiqësore e instrumentale, dhuna direkte, dhuna aktive e pasive, dhuna e hapur dhe e mbuluar.

Edhe sipas raportit “Reduktimi i dhunës në shkolla“, i hartuar në janar të vitit 2006 nga Këshilli Europian, janë disa faktorë që ndikojnë për nivelin e dhunës në shkolla: “Pavarësisht nga përkufizimet dhe burimet e ndryshme, ne dimë shumë në lidhje me faktorët që ndikojnë në nivelin e dhunës në shkolla. Këtu bëjnë pjesë lloji i shkollës dhe klima e shkollës, karakteristikat e grupit të kolegëve dhe karaktersitikat e nxënësit siç janë: mosha, gjinia, përkatësia etnike, historia familjare, nevojat e posaçme arsimore, si dhe trendet historike“.

Raporti i Këshillit Europian shkollat i cilëson edhe si organizata që kanë për detyrë funksionin e socializimit, ngrohtësisë dhe strehimit.

“Shkollat janë organizata komplekse ngase shërbejnë për shumë funksione të ndryshme. Kuptohet se ato parimisht e kanë funksionin e edukimit akademik, por përskaj kësaj nga këto shkolla gjithashtu pritet të kenë edhe funksionin e socailizimit. Nga ato kërkohet të balancojnë bashkëveprimin me konkurrencën, të mbështetur nga sfida dhe arritjet individuale të sjella nga grupi. Shkolla përveç frymëzimit për të arritura akademike, mundëson plotësimin e nevojave të ndryshme të nxënësve të tjerë, duke filluar nga nevojat komplekse sociale dhe emocionale deri te nevojat themelore për ngrohtësi dhe strehim“.

Dhuna është e papranueshme dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës e ndalojnë çdo lloj dhune, pabarazie ose diskriminimi ndaj nxënësve. Ligjet e Arsimit burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Këto ligje e rregullojnë sistemin arsimor dhe sipas tyre duhet të ofrohet shkollim i barabartë për të gjithë, duke e ndaluar çfarëdo forme të dhunës.

Ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës dhe të publikuara në Gazetën Zyrtare janë: Ligji për Edukimin Parashkollor, Ligji për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, Ligji për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës, Ligji për Arsimin dhe Aftësimin Profesional, Ligji për Arsimin dhe Aftësimin për të Rritur në Republikën e Kosovës, Ligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, Ligji për Inspektoriatin e Arsimit në Republikën e Kosovës, Ligji për Barazi Gjinore dhe Ligji për Kualifikime Kombëtare.

Strategjia e Arsimit (SA) 2022-2026 nga MASHTI thotë: “Duhet të planifikohen aktivitete që kontribuojnë në zbatimin e masave për parandalimin dhe raportimin e të gjithave formave të dhunës (fizike, psikologjike, seksuale, neglizhimin, ngacmimin seksual, shfrytëzimin), homofobinë, bullizmin, gjuhën e urrejtjes dhe ekstremizmin në shkolla. Po ashtu, aktivitete që ndërlidhen me obligimet e institucioneve arsimore për të identifikuar, referuar dhe mbështetur fëmijët, të cilët, potencialisht, janë viktima të drejtpërdrejta të dhunës në shtëpitë e tyre ose dëshmitarë të dhunës në familje në shtëpitë e tyre“.

 

Prania e psikologëve në shkolla është një nga hapat e domosdoshëm për çrrënjosjen e dhunës në shkolla dhe zgjidhjen e problemeve mes nxënësve me anë të komunikimit paqësor. Sipas hulumtimit të publikuar kohë më parë nga “Fol Drejt”, në 24 komuna ku veprojnë 947 institucione shkollore, janë vetëm 161 psikologë të angazhuar.

Bazuar në burimet e Drejtorive Arsimore, këtë vit pritet të pranohen edhe 28 psikologë të tjerë për të plotësuar nevojat e shkollave. Ndërsa, burimet brenda Ministrisë së Arsimit thonë që nga ana e nivelit qendror janë miratuar 520 pozita për punësimin e psikologëve, por që iu mbetet komunave t’i hapin konkurset dhe t’i angazhojnë. Nëse do të plotësoheshin 520 pozita psikologësh sipas vendimeve qeveritare, i bie që më shumë se gjysma e shkollave të Kosovës do të kishin të paktën nga një psikologë të angazhuar.

Kujtojmë që sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) për vitin 2021-2022, në Kosovë veprojnë 1047 institucione shkollore. Kurse, sipas hulumtimit nga “Fol Drejt” realizuar përmes intervistave me Drejtoritë Arsimore Komunale në vitin 2023, rezulton të jenë 1063 institucione shkollore. Prej tyre: 878 shkolla fillore, 120 shkolla të mesme dhe 65 çerdhe. Arsyeja e ndryshimit të numrit në raport me ASK-në është sepse në përfundim të vitit 2022 dhe në fillim të vitit 2023, janë funksionalizuar edhe 16 çerdhe./FolDrejt/

Back to top button