Ish-reporteri Haqif Mulliqi raportimin e parë nga lufta e nisi nga Prekazi.
Në “Dhoma e Rrëfimit” ai ka thënë se në fushë betejë është ndodhur më 5 mars 1998.
“Atë kohë normal unë nuk dija bash asgjë për luftën fare dhe rrethimi që ishte bërë Prekazit ishte në formë të patkoit. Nga aty kam filluar raportimin nga lufta, fillimisht unë e kisha njohur Hamëz Jasharin qysh më herët që nga viti ’87, ai është marrë me kulturë është marrë me teatër ka qenë një figurë interesante”.
Mulliqi thotë se Hamëz Jashari është një prej figurave më të rëndësishme të konsolidimit të UÇK-së.
“Në Prekaz kam qëndruar pesë ditë kam bërë disa punë interesante, kam takuar njerëz që kanë arrit të shpërthejnë rrethimin. Kam të regjistruara në audio rrëfime tronditëse të familjarëve të Jasharëve”, ka theksuar Mulliqi.
Ai ka shtuar se pas Prekazit është takuar edhe me vëllezërit Haradinaj në Gllogjan, ku edhe është reporteri i parë që është futur në shtëpinë e Ramush Haradinajt.