LAJMESOCIALE

MOS U MËRZIT, ALLAHU ËSHTË ME TY

1. Ilaçi më i mirë për qetësimin e dhembjeve: “Prandaj, përgëzoji të duruarit.”

2. Nuk e qetëson zemrën e lodhur asgjë më shumë se dëgjimi i fjalëve të Allahut: “Ti nuk e di se pas kësaj Allahu mund të sjellë ndonjë rrethanë tjetër.”

3. Nëse të ngushtohen çështjet, dije se lehtësimi është shumë afër!

4. Ibën El-Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thoshte: “Kujt i janë shtuar brengat dhe mërzitë, le ta shtojë fjalën: ‘La haule ue la kuv-vete il-la bil-lah.’ (Nuk ka ndryshim e as forcë, pa ndihmën e Allahut).”

5. Gjatë kohës kur ndien dhembje, ji i bindur në mëshirën e Allahut.

6. Nëpërmjet fatkeqësive dhe belave, njerëzve të mirë u ngriten pozitat dhe u shtohen shpërblimet.

7. Dyert e qiejve janë të gjera dhe çelësi i tyre është duaja!

8. Përmendja e Allahut, e kënaq të Gjithëmëshirshmin, njeriun e bën të lumtur, i largon brengat dhe e mbush Peshoren.

9. Largimi nga Allahu është vdekje për zemrën!

10. Mos u mërzit për dynjanë dhe çfarë ka në të, të gjithë ne jemi mysafirë në tokën e saj!

11. Besimtari është si gjethe e gjelbër, nuk bie, sado që ta godasin stuhitë e forta!

12. Nëse namazi nuk është i pari nga prioritetet, atëherë sa jetë e keqe që është ajo!

13. Nëse largohesh nga namazi, dije se rehatia dhe bereqeti, vetëm se janë larguar nga jeta jote!

14. Zemrat, që janë larg Allahut, nuk rehatohen.

15. Kur ballafaqohesh me ndonjë bela, rikujtoje se ajo është e përkohshme, se ajo është përcaktim i Allahut dhe se ajo do të të dhurojë shpërblime, nëse bën sabër!

16. Gjërat e bukura gjithmonë fshihen pas vështirësive, me qëllim që Allahu ta befasojë durimin tonë me dhuntitë e Tij të shumta.

17. Kush e ruan gjuhën e vet për hir të Allahut në dynja, Allahu do t’ia mundësojë në prag të vdekjes, që gjuha e tij ta shqiptojë shehadetin (dëshminë). (Ibën El-Xheuzij)

18. Vetmia të vjen, kur harron se Allahu është me ty!

19. Shqetësimi vret më shumë njerëz sesa puna, kjo se njerëzit më shumë shqetësohen sesa që punojnë.

20. Po të mos ishte përmendja e Allahut, do të vdisnin shpirtrat tanë nga brengat! “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun.”

21. Kur më pyesin se si e kam gjendjen, u përgjigjem me ELHAMDULILAH (Falënderimi i takon Allahut) dhe mendojnë se unë jam në majën e lumturisë sime. Ata harruan se ne e falënderojmë Allahun në rehati dhe në vështirësi!

Pjesë nga libri “Nga dhembja drejt lumturisë ” – Irfan Jahiu

Back to top button