Miqtë rrihen mes vete në Vushtrri, një 41-vjeçar merr lëndime të rënda
Përleshjet mes miqve e familjarëve në vendin tonë nuk janë të rralla. Për motive të ndryshme, shumë prej tyre përfundojnë në Polici, ku kërkojnë ndihmë për zgjidhjen e telasheve, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në rrugën ‘Pandeli Sotiri’ në Vushtrri, ku disa persona dyshohet se janë përfshirë në një rrahje.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës dhe të njëjtit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Sipas burimeve të Sinjalit, palët e përfshira në rast kanë miqësi familjare mes vete dhe një 63-vjeçar është arrestuar.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i rëndë trupor’.