LAJME

Ky është gjakovari i arrestuar gjatë aksionit “Mali”, iu gjetën 35 kg drogë

Njësia për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Gjakovë, ka zhvilluar një operacion policor dje, të koduar si “Mali”, që rezultoi me konfiskimin e 35 kg marihuanë dhe arrestimin e një personi, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se personi i arrestuar gjatë këtij aksioni është Jaha Binakaj, 49-vjeçar.

I njëjti dyshohet për përfshirje në veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, Policia ka gjetur e konfiskuar 32 paketime me lëndë narkotike (dyshohet të jetë marihuanë), me peshë 35 kg e 581 gr., një peshore digjitale, një telefon, një veturë e dëshmi tjera relevante për rastin.

Pas arrestimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe më pas me vendim të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Back to top button