Komuna e Skenderajt ndërhyn jashtligjshëm në Shtëpinë e Kulturës të mbrojtur me ligj
Në emër të një projekti më madhor, Komuna e Skenderajt ka ndërhyrë pa autorizim në Shtëpinë e Kulturës në fshatin Runik e cila mbrohet si monument i trashëgimisë Kulturore. Objektit të viteve ‘50 i është rrënuar një pjesë. Komuna e mohon përderisa dy institucione qendrore e konfirmojnë ndërhyrjen pa leje.
Komuna e Skenderajt ka ndërhyrë pa autorizim në Shtëpinë e Kulturës në Runik të Skenderajt, e cila tash e pesë vjet mbrohet si objekt i trashëgimisë kulturore. Një pjesë e anës së majtë të objektit tashmë është rrënuar.
Punimet janë ndërprerë dhe autoritetet qendrore kanë dalë të premten në terren. Edhe Ministria e Kulturës, edhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Mitrovicës e kanë konstatuar ndërhyrjen e jashtëligjshme në këtë objekt të trashëgimisë kulturore. E, në anën tjetër, Komuna e Skenderajt e mohon se ia ka mësyrë rrënimit.
Ndërhyrjet janë bërë në emër të projektit për rregullimin e subqendrës së Runikut ku përfshihet edhe Shtëpia e Kulturës, objekt i ndërtuar në vitet ‘50 të shekullit të kaluar.
Ministria e Kulturës ua ka kujtuar autoriteteve komunale se objekti mbrohet me ligj dhe se për ndërhyrje nuk ka leje.
“Shtëpia e Kulturës në Runik është aset në Listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje. Ministria e Kulturës ka ndarë buxhet në investime kapitale për restaurimin dhe rivitalizimin e këtij monumenti. Institucionet e Ministrisë së Kulturës sot janë në terren për të verifikuar gjendjen dhe kanë konstatuar që është rrënuar pjesërisht monumenti. Këto ndërhyrje nuk janë bërë me pëlqim nga institucionet kompetente të MKRS-së dhe tani institucionet tona janë në terren duke i ndërmarrë hapat e duhur sipas ligjit. I bëjmë apel Komunës që të ndalojë menjëherë të gjitha ndërhyrjet e paautorizuara dhe të respektojë ligjin”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Mitrovicës, e cila është përgjegjëse edhe për trashëgiminë kulturore në Komunën e Skenderajt, tek javën e kaluar e ka marrë projektin komunal për Shtëpinë e Kulturës. Mujë Igrishta, zëvendësues i drejtorit të QRTK-së së Mitrovicës, ka konfirmuar se nuk ka leje.
“Të premten e javës së kaluar e kemi pranuar projektin e Komunës së Skenderajt për Shtëpinë e Kulturës në Runik. Në bazë të asaj që na obligon ligji kemi kërkuar që të plotësohet edhe me kërkesën e Drejtorisë së Urbanizmit të Komunës. Pasi është plotësuar, dje e kemi përcjellë në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Ndërsa po mbrëmë jemi informuar se atje kanë nisur punimet. Sot kemi qenë në terren dhe e kemi konstatuar se kanë nisur punimet. Ne kemi pasur takime edhe paraprakisht dhe ju kemi treguar të gjitha procedurat që duhet te ndiqen nga Komuna. Por, me sa kemi parë në terren, gjë për të cilën po e hartojmë edhe një raport, atje janë bërë ndërhyrje të paautorizuara nga institucioni kompetent. Kemi njoftuar institucionet, përfshirë edhe Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore”, ka thënë Igrishta.
Me gjithë gjendjen në terren dhe konfirmimet për ndërhyrje pa leje nga dy institucione qendrore, Fadil Nura, kryetar i Komunës së Skenderajt, ka thënë se Shtëpia e Kulturës nuk është prekur.
“Ne e kemi filluar dje subqendrën në pozicione të tjera, por pa e prekur Shtëpinë e Kulturës. Nuk është e vërtetë se kemi marrë vendim ta rrënojmë dhe që do ta rrënojmë”, ka deklaruar Nura.
Teksa i është kundërpërgjigjur Ministrisë së Kulturës, ka dhënë edhe një version për rrënimin e një pjese të monumentit.
“Jo, jo, nuk është e vërtetë. Hiç më larg se dje kam qenë e kam vizituar. Ai objekt është i dëmtuar prej lufte, ka mundur vetvetiu të rrënohet, është i dëmtuar, është e vërtetë. Por që ne nuk e kemi rrënuar, as e kemi në plan. Objekti do të restaurohet edhe me mjetet e Komunës. Bashkëfinancim me
MKRS e cila kishte kërkuar harmonizim me ta në projekt . Po presin rekomandimet prej tyre”, ka thënë ai.
Shtëpia e Kulturës në Runik u fut në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme në korrikun e vitit 2018 disa ditë pasi objektin e lënë pas dore e ringjalli artisti me famë botërore, Petrit Halilaj, me projektin artistik “Shkrepëtimë”. Shtëpia e Kulturës për gati dy dekada ishte braktisur. Gjatë periudhës së saj të artë, në bibliotekën e saj kanë qenë 11 mijë libra, kinema, sallë teatri e koncertesh. Për 30 vjet do të shërbente si simbol i Runikut.