Kërcet grushti në liftin e një banese në Fushë Kosovë, tre të rinj rrahen brutalisht
Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve mes të rinjve në vendin tonë. Për pasojë, konfliktet jo rrallëherë eskalojnë edhe në rrahje brutale, për çka nevojitet ndërhyja e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur të shtunën në ashensorin e një ndërtese në Fushë Kosovë, ku tre persona janë përfshirë në rrahje, pas një mosmarrëveshje me njëri-tjetrin.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se tre të dyshuarit, D.M., A.B., dhe D.M., u futën në sherr duke u rrahur mes vete dhe për pasojë dy prej tyre mbetën të lënduar.
Posa rasti është denoncuar, të njëjtat burime thonë se Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë marrë informacionet e para, ndërsa dy të dyshuarit që u lënduan janë dërguar në spital për trajtim mjekësor.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari A.B., ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe tashmë po trajtohet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po ruhet nga Policia.
Ndërsa i dyshuari tjetër D.M., është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin dhe pas intervistimit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”, ndërsa edhe ndaj të dyshuarit tjetër kanë nisur hetimet.
Sinjali do të ju mbajë të informuar me detajet e reja.