LAJMESOCIALE

HARAMET QË NDIKOJNË NË VËLLAZËRI

Thënia e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selemHiqeni prej vetes dyshimin ngase ai është veti nga më të këqijat” ka për qëllim shpifjen e cila bëhet pa asnjë shkak dhe nuk i përshtatet realitetit. Ky lloj dyshimi është i keq, i kotë dhe është mëkat.

Allahu, azze ue xhel, thotë: “Vërtet, disa dyshime janë gjynah.” (El-Huxhurat: 12); “Në të vërtetë, hamendja nuk e zëvendëson aspak të vërtetën.” (Junus: 36)

Prandaj muslimani duhet të jetë i kujdesshëm prej supozimeve të këqija dhe të ketë mendim të mirë për vëllain e tij musliman.

Omeri, radijallahu anhu, thoshte: “Ke mendim të mirë për çdo fjalë që del prej gojës së vëllait tënd musliman, duke qenë i bazuar në mirësinë e saj.”

Seid ibën Musejeb, radijallahu anhu, thoshte: “Më porositën disa vëllezër muslimanë që të kem mendim të mirë për vëllain tim musliman, derisa të del në shesh e kundërta.

Thënia “Mos u bëni kureshtar” e ka për qëllim dëgjimin e thashethemeve të njerëzve, ndërsa fjala “mos u merrni me të metat e të tjerëve” e ka për qëllim hulumtimin e të metave dhe zbulimin e çështjeve të brendshme.

El Hatabi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kuptimi i saj është mos hulumto të metat e njerëzve dhe mos i përcjell ato.”

Fjala e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem: “mos keni zili njëri me tjetrin” ka për qëllim mos keni zili ndaj begative që u janë dhuruar të tjerëve.

Zili është të shpresosh që t’i humb vëllait tënd begatia që e posedon, është zemërim ndaj Allahut në mirësinë dhe begatinë e Tij, dhe kundërshtim ndaj asaj që ia ka caktuar Allahu robit të Tij prej furnizimit. Allahu, azze ue xhel, thotë: “A mos i kanë zili njerëzit për çfarë u ka dhuruar Allahu nga të mirat e Veta? Ne u dhamë pasardhësve të Ibrahimit Librin e urtësinë, si dhe një pushtet të madh.” (En-Nisa: 54)

Ziliqari kur ia sheh njerëzve begatitë që u janë paraqitur brengoset dhe shpreson e kujdeset që ato t’i humbin, ndërsa kur i godet ndonjë sprovë dhe e keqe ai kënaqet. Allahu, azze ue xhel, thotë: “Nëse ju vjen ndonjë e mirë, ata i brengos e, nëse ju gjen ndonjë e keqe, ata gëzohen, por nëse ju duroni dhe ruheni nga gjynahet, dinakëritë e tyre nuk mund t’ju dëmtojnë aspak. Vërtet Allahu ka dijeni për çdo gjë që punojnë ata.” (Ali Imran: 120)

Nuk ka begati që i dhurohet ndokujt e mos të ketë ziliqar. Omeri, radijallahu anhu, thoshte: “Nuk ia ka dhuruar Allahu ndokujt një begati, vetëm se është paraqitur ziliqari i saj.”

Modestia dhe ai që e posedon janë begati që pakica i kanë zili. Mubridi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Modestia dhe ai që përshkruhet me të janë begati që shumica nuk i kanë zili, ndërsa mendjemadhësia është sprovë dhe bela e cila nuk e mëshiron pronarin e saj.”

Urtësia e saj qëndron në faktin se mendjemadhi mendon se modestia është e ulët dhe humbje, por në fakt ajo është krenari dhe ngritje.

 

O muslimanë!

Armiqtë e Islamit kënaqen kur i shohin muslimanët të përçarë mes vete dhe duke u urryer. Kjo ia lehtëson atyre depërtimin në radhët e muslimanëve dhe devijimin e tyre prej rrugës së drejtë. Prandaj, bashkoni radhët e juaja që t’u bashkohen zemrat e juaja. Silluni me mirësi dhe dashuri mes vete dhe kërkoni mbrojtje te Allahu prej shejtanëve njerëz dhe xhindë që dëshirojnë të sjellin armiqësi dhe urrejtje mes muslimanëve.

E lus Allahun, azze ue xhel, që zemrat dhe radhët e muslimanëve t’i bashkojë, urrejtjet dhe armiqësitë e tyre t’i largojë, ndërsa armiqtë e Islamit dhe muslimanëve t’i shkatërrojë dhe të gjitha planet e tyre kundër Islamit t’i asgjësojë.

 

Muhamed ibën Ali es Sauij 

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Back to top button