SOCIALE

Cili duhet të jetë ideali ynë?

Një popull nuk rron dot pa një ideal, pa një shtytje, pa një qëllim, që e bën të ecë, të punojë, të përpiqet dhe të përparojë. Njeriu lind natyrisht aktiv: lëvizja dhe tundja janë të nevojshme; i sëmuri, që mbërthehet në shtrat, i burgosuri, që dënohet me të mos dalë jashtë qelisë, dembeli që nuk punon, bien në pasivitet e melankoli. Burgimi në vetvete është një nga më të rëndat e mundimeve. Njeriu duhet të ecë, të lodhet, të punojë, të flasë.

Puna dhe aktiviteti i njeriut si individ, i një njeriu të vetëm, veç e veç, venë humbur, po qe që njerëzit nuk dinë të bashkojnë punimin dhe aktivitetin e tyre, ta drejtojnë në një qëllim, në një drejtim. Ahere dhjetë njerëz bëhen sa njëqind, mbase dhe një mijë.

Ky qok, që dinë ta ndjekin njerëzit e një kombi, bëhet ideali i atij kombi, bëhet fuqia e tij morale. Pa një fuqi morale, pa një pikë drejt së cilës duhet të rendin së bashku, njerëzit dhe popujt vdesin, shuhen…

Kur humbet ideali, besimit të fati, kur venitet qëllimi dhe zhduket qoku, atëherë trupi bëhet si kufomë, i ka ikur shpirti, rrêzohet si thesi, që i është derdhur mielli. Historia na rrëfen një tok me shembëlla…

Shpresa mbahet me punë dhe ideal. Entuziazmi vjen prej dëshirës së fortë, prej dashurisë, prej vullnetit e dëshirës. Ajo na bën që të duam të rrojmë, të gëzojmë jetën; ajo na bën, prapë, të therorizojmë jetën tonë për ëndrrën dhe qokun.

Cili duhet të jetë ideali ynë?

Duhet të jetë madhështia dhe nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i përgjithshëm.

Në qoftë se bindemi që duhet të jemi një faktor qytetërimi në Ballkan, që do ta bëjmë vendin tonë një kënd toke të lulëzuar, të pajuar me të gjitha bukuritë morale dhe materiale, do ta bëjmë kombin, që të përmendet me nderim dhe lëvdatë, atëherë, padyshim, do të ecim, do të përparojmë, të bashkuar, të fuqizuar, se do të kemi një dritë, drita që na jep dëshira e madhërisë së përbashkët, dëshira që të zëmë një vend në histori, një vend nderi me një qytetërim tonin, me një literaturë, me një art, me prosperitet lëndor, tonin. Fuqia e shpirtit, ideali kombëtar, do të na japë hov edhe për lumturinë personale, e cila nuk do të na dëshpërojë më, nëse do të mendojmë suksesin e përgjithshëm, nëse do të kemi durim dhe metodë në punë, larg dëshpërimit dhe zemërimit.

Ahere, kur të jetë ndezur në zemrën tonë ky zjarr i ngrohtë, do të shohim se bashkimi i dëshirave dhe i fuqive, është një nevojë për ne, se therorësia e egoizmit vetjak është një qejf për ne, se ne të gjithë do të shikohemi si vëllezër e shokë për veprën e përbashkët, për të ngrehur godinën e shëndoshë të madhërisë sonë.

Lumo Skëndo

*”Plagët tona”, 1924

Back to top button