LAJME

A do të ndalohet TikTok-u në Kosovë?

Agjencia për Informim dhe Privatësi e Kosovës do të iniciojë takime me institucionet e sigurisë së Kosovës për të analizuar nëse aplikacioni TikTok paraqet rrezik për sigurinë shtetërore.

TikTok-u është aplikacion i popullarizuar për shpërndarjen e videove të shkurtra, kompania amë e së cilës, ByteDance, e ka bazën në Kinë. Në vitin 2021, TikTok-u është shpallur aplikacioni më i shkarkuar në botë, përdoret nga të gjitha moshat, por të rinjtë janë shënjestra kryesore. Kjo ka rritur shqetësimet për sigurinë e tyre çdo ditë e më shumë.

Lexo Edhe:

Shumë vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, e kanë ndaluar përdorimin e këtij aplikacioni në pajisjet qeveritare, për shkak të dilemave se TikTok-u mund të ndajë të dhënat e përdoruesve me Qeverinë kineze.

Ekspertët e fushës në Kosovë thonë se Kosova duhet t’i ndjekë hapat e SHBA-së dhe BE-së lidhur me TikTok-un, pasi që pajisjet dhe aplikacionet kineze mund te jenë “rrezik potencial pë të dhënat”.

Për ndalimin e TikTok-ut “vendosin Qeveria dhe Kuvendi”

Shqetësimet, nëse instalimi dhe përdorimi i aplikacionit TikTok në telefonat e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës paraqet rrezik për sigurinë shtetërore, janë ngritur në Komisionin parlamentar për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, të martën, më 26 prill, gjatë raportimit të komisionares së Agjencisë së Informimit dhe Privatësisë, Krenare Sogojeva-Dërmaku.

“Gjatë raportimit në Kuvend gjatë kësaj jave, jam pyetur nga njëri prej deputetëve të Komisionit për siguri, lidhur me rrezikun që mund të ofrojë platforma TikTok dhe mundësinë e ndalimit të kësaj platforme, konkretisht që të mos përdoret nga ana e qytetarëve të Kosovës. Kështu që, Agjencia do ta marrë përsipër që të iniciojë takimet me aktorët e sigurisë dhe mbrojtjes dhe më pas do të shohim se cilat janë vlerësimet që do të dalin pas një analize”, thotë Sogojeva-Dërmaku.

Ajo shqoi se analiza dhe vlerësimet, më pas, duhet t’iu dërgohen institucioneve të larta të vendit, Kuvendit dhe Qeverisë, të cilat, siç thotë ajo janë instanca që vendosin nëse TikTok-u do të ndalohet ose jo.

“Kosova të ndjekë hapat e SHBA-së dhe BE-së lidhur me TikTok-un”

Driart Elshani, ekspert i sigurisë kibernetike, thotë për Radion Evropa e Lirë se të dhënat e platformës TikTok ruhen në Kinë. Sipas tij, ekziston shqetësimi se këto të dhëna mund të ndahen me autoritetet kineze.

“Mendoj që Kosova duhet të bëjë njëjtë sikurse aleatët e saj dhe të marrë hapa në këtë drejtim, ta përcjellë këtë temë, sepse ka shqetësime për sigurinë shtetërore në rast se të dhënat që ruhen në platformën TikTok ndahen me autoritetet kineze. Rrjedhimisht, duhet të veprohet në koherencë me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian”, vlerëson Elshani.

Shqetësimet e SHBA-së për TikTok-un

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjet se çfarë mendon lidhur me platformën TikTok dhe nëse u ka dhënë ndonjë sugjerim ose rekomandim zyrtarëve të institucioneve lidhur me përdorimin ose jo të kësaj platforme. Deri në publikimin e këtij teksti, përgjigja nuk ka arritur.

Kah fundi i marsit të sivjetmë, ligjvënësit amerikanë e kanë pyetur shefin e rrjetit social të videove, TikTok, Shou Zi Chew, në lidhje me ndikimin e mundshëm kinez mbi këtë platformë.

Në dëshminë para Kongresit, Shou Zi Chew mohoi që aplikacioni ndan të dhëna ose ka lidhje me Partinë Komuniste Kineze, por ligjvënësit i konsideruan shmangëse përgjigjet e tij, të cilat nuk ndikuan shumë në uljen e shqetësimeve të SHBA-së për kompaninë amë me bazë në Kinë të TikTok-ut. Ata, po ashtu, theksuan shqetësimet se videot e shkurtra të këtij aplikacioni po dëmtojnë shëndetin mendor të fëmijëve.

Ndalimi si sfidë

Ende nuk dihet nëse një vendim eventual për ndërprerjen e përdorimit të TikTok-ut nga autoritetet e Kosovës, do të vlente vetëm për pajisjet e institucioneve shtetërore e publike apo për të gjithë pa dallim.

Por, Sogojeva-Dërmaku shpreh mendimin se Kosova nuk do të veprojë ndryshe nga vendet si SHBA-ja dhe BE-ja.

“Varësisht prej zhvillimeve, do të ndërmarrin hapa sikurse në Evropë. Por, kjo nuk varet nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, por do të varet nga Qeveria dhe Kuvendi”, thekson ajo.

Eksperti i sigurisë kibernetike, Driart Elshani, thekson se ndërprerja e përdorimit të TikTok-ut, në rast se autoritetet e Kosovës do të vendosnin eventualisht për një gjë të tillë, mund të bëhet përmes operatorëve furnizues të qasjes në internet, të cilët veprojnë në Kosovë. Megjithatë, ai e sheh si sfidë ndalimin eventual të TikTok-ut në tërësi në Kosovë.

“Keni parasysh, deri tash në Kosovë nuk ka pasur ndonjë rast kur një platformë është ndaluar plotësisht dhe mendoj se zbatimi do të ishte mjaft sfidues, por është i mundshëm. Unë mendoj që në qoftë se platforma TikTok ndalohet në SHBA dhe BE, atëherë Kosova duhet të marrë hapa të shpejtë që ta bëjë pikërisht të njëjtën gjë edhe brenda territorit të saj”, thotë Elshani.

Në dhjetor të vitit të kaluar, kompania kineze e teknologjisë, ByteDance, pranoi se punonjësit e saj siguruan qasje në të dhënat nga platforma e mediave sociale, TikTok, për t’i gjurmuar gazetarët në një përpjekje për të identifikuar burimin e rrjedhjeve të informacioneve në media.

Back to top button