Në rast se ai do ishte gjallë, këtë vit do bënte 87 vite mbi supe.
Kush ishte Demaçi?
Adem Demaçi, i biri i Zeqir e Nazife Demaçit, u lind në Prishtinë, më 26 shkurt të vitit 1936. Me prejardhje ishte nga fshati Lupq i Podujevës.
Në kohën që u lind dhe u rrit ishin rrethana tejet të varfëra, tipike për shqiptarët e okupuar të asaj kohe. Më 1942, me këmbënguljen e nënës së tij dhe me dëshirën e Ademit, babai i tij arriti ta regjistronte atë në shkollë, gjatë pushtimit italian.
Demaçi është ndër emrat më të rëndësishëm në Kosovë të përpjekjeve paqësore për liri dhe për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës brenda ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ishte bërë i njohur qysh në fëmijëri si zë revoltues në bankat e shkollës. Demaçi nuk hezitonte asnjëherë që në dasma, në raste vdekjesh dhe ndeja të ndryshme, me guxim dhe vendosmëri të dënonte padrejtësitë e shumta të regjimit serb.
Në vitin 1958 është dënuar 5 vjet me burg për shkak të shkrimeve dhe bindjeve të tij, politike e atdhetare. Në vitin 1963 ka themeluar në Prishtinë organizatën e quajtur “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, me program unik kombëtar të çlirimit dhe bashkimit të trojeve shqiptare në një shtet të vetëm. Kjo Lëvizje kishte arritur të zgjerohej në shumë qendra të Kosovës, por edhe në trojet e tjera shqiptare nën pushtimin Jugosllav. Për shkak të vazhdimit të aktivitetit atdhetar, Adem Demaçi dënohet 15 vjet burg.
Edhe në vitin 1975 regjimi jugosllav e kishte dënuar 15 vjet burg. Demaçi ka mbajtur rreth 28 vjet, disa prej tyre në qeli i vetëm, gjatë kohës së regjimit të egër në RSFJ-së. Pas lirimit nga burgu në vitin 1990 Adem Demaçi udhëhoqi Këshillin për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut deri në vitin 1995. Në vitin 1991 u nderua nga Parlamenti Evropian me Çmimin “Saharov”.
Gjatë periudhës 1998-1999 ka qenë zëdhënës politik i UÇK-së, në zyrën e tij, në Prishtinë.
Pas luftës ishte tejet aktiv në jetën qytetare por nuk iu dha ndonjë pozitë zyrtare, në Shtetin e Kosovës.
Demaçi ishte autor i disa librave: Fërkime, Gjarpijtë e gjakut, Libër për Vet Mohimin, Heli e Mimoza, Nëna Shegë e pesë gocat, Shkrumbnajë e dashur, Dashuria Kuantike e Filanit, Alb Prometeu, Politika, Pushka dhe Tung vargu im.
Demaçi ka vdekur më 26 korrik 2018-të.