Vuçiq paralajmëron takim të radhës Kosovë-Serbi në Bruksel
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar zhvillimin e një takimi “në nivel teknik” me Kosovën, ndërsa ka folur të martën në Bruksel për zgjedhjet e mbajtura në veri.
Për situatën pas zgjedhjeve, Vuçiq tha se Bashkimi Europian ka pasur një propozim të cilin ai e ka pranuar, por tha se Kosova e ka refuzuar, përcjell Gazeta Express.
“Unë pranova, Prishtina refuzoi. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ta kalojmë atë situatë”, tha Vuçiq.
“Shpresoj që deri në raundin e ardhshëm në nivel teknik, qoftë ai më 18, 20 apo 21 maj, do të ketë reagime nga disa të tjerë që mund të ndikojnë në ndryshimin e qëndrimeve të tilla. Unë nuk jam optimist, por mund të premtoj se do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, tha presidenti serb.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në takimin e së martën folën edhe për zgjedhjet në veri.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell tha se procesi zgjedhor i 23 prillit ka treguar se nuk ofron zgjidhje afatgjate të situatës dhe se ka potencial “të çojë në përshkallëzimin e saj”.
“Kjo nuk është ajo që duam. Shpresoj që askush nuk e do, por rreziku ekziston”, tha Borrell.
Komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – shkuan në zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi kryetarët e tyre dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë proteste ndaj një vendimi të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar automjetet me targa ilegale serbe.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e 23 prillit ishte më pak se 4%, pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – i bojkotoi ato.