
Tri ditët e gjykimit special, çfarë u tha? (Video)
Raporti: Saranda Aliu
Fillimi i gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së u prit me shumë interes. Në tri ditët e para, Prokuroria Speciale u përoq t’i ngarkojë me një sërë akuzash si udhëheqës të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës gjatë kohës së luftës. Thaci, Veseli, Selimi e Krasniqi, personalisht dhe përmes avokatëve i mohuan akuzat duke thënë se ndjehen krenarë për sakrificën që e bënë për popullin dhe lirinë e Kosovës. Gazetarja Saranda Aliu sjell një përmbledhje të fillimit të këtij procesi.
Pas dy vjet e gjysmë në paraburgim, të hënën e 3 prillit filloi gjykimi.
Para gjykatores në Hagë dolën ish krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.
Në ditën e parë të seancës gjyqësore, të akuzuarit u ngarkuan me një varg veprash nga prokurorët e Speciales.
Për të gjitha këto, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.
Prokurorët e Specializuar para trupit gjykues deklaruan se Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi ngarkohen me një sërë veprash, mesin e të cilëve është edhe shenjëstrimi i kundërshtarëve politikë.
Me të mbaruar fjala e Prokurorisë, radha erdhi ditën e martë për mbrojtjen.
Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh i lumtur se ky proces dëshmoi se nuk kishte shtëpi të verdhë e as trafikim organesh, ashtu siç e kishte pretenduar senatori amerikan Dick Marty, në raportin e tij.
Ish kryetari i kuvendit, Kadri Veseli nuk foli, e për të u deklarua avokati i tij.
Ben Emmerson, kategorisht mohoi çdo faj që iu m’vesh klientit të tij sa ishte shef i zbulimit në UÇK.
“Nuk ka asnjë provë që ai të ketë autorizuar apo nxitur ndonjë krim apo politikë kriminale që ai të ketë marr ndonjëherë në cilësinë si shef i zbulimit, ndonjë raportim të ndonjë krimi të kryer apo që të ketë luajtur ndonjëherë çfarëdo lloj roli në ngjarjet që kanë çuar në kryerjen e ndonjë krimi.”
E ish anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi u shpreh se nuk ka frikë nga drejtësia por nga padrejtësia.
Përveç se kurrë nuk ka kryer krime lufte, ish zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi në ditën e tretë të gjykimit tha se nuk ka persekutuar anëtarë të LDK-së sepse vetë ishte pjesë e kësaj partie.
Më 11 prill pritet të deklarohen 12 dëshmitarët e parë kundër ish krerëve të UÇK-së.
Këtij procesi gjyqësor i janë rezervuar 81 ditë gjykim, ku më së shumti seanca do të ketë tetori më plot 14 sosh.
Për një proces të tillë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar minimum 6 vjet e gjysmë për t’i përfunduar 312 dëshmitarët e konfirmuar deri më tani.
E teksa prokurorët dhe avokatët i ballafaqonin argumente e tyre, jashtë gjykatores në Hagë po marshohej për drejtësi nga shqiptarët e ardhur nga Evropa dhe SHBA.
Fjalime e këngë patriotike u dëgjuan pothuajse tërë ditën.