LAJME

Skenderaj: Njëri nga banorët e ndërtesës thotë se janë mashtruar nga “Rukolli”

Ndonëse, prona komunale e Komunës së Skenderajt ishte dhënë për 40 vjet me koncesion, për këtë kohëzgjatje jo të gjithë kanë qenë të informuar. Sokol Halili, i cili ka bërë blerje të disa njësive në këtë objekt, pretendon se janë manipuluar nga kompania. Sipas tij, ata kanë qenë në dijeni që prona është e shfrytëzueshme për 99 vjet

Në një parakontratë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, të lidhur mes kompanisë “Rukolli” dhe një blerësi, në asnjërën nga dispozitat e saj nuk është përcaktuar afati kohor i koncesionit. “Betimi për Drejtësi” ka tentuar që të sigurojë ndonjë kontratë për blerjen e njësive banesore, mirëpo disa nga banorët kanë deklaruar se posedojnë vetëm parakontrata dhe se, sipas tyre, në të njëjtat nuk është përcaktuar asnjë afat kohor.

“Të gjithë ata kontraktues të cilët kanë bërë kontrata në atë objekt janë manipuluar. Unë dua ta shpjegoj personalisht se negociatat kanë qenë për 99 vite. Në zyrën e Rukollit kanë qenë bisedimet për 99 vite, nënshkrimi në kontratë është bërë për 99 vite”, tha Sokol Halili.

Ai pretendon se edhe pasi është kryer shitblerja mes tij dhe kompanisë “Rukolli”, njësitë banesore në këtë objekt nuk janë regjistruar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës.

Ai thotë që së bashku me një zyrtar të kompanisë i kanë dorëzuar kontratat në Drejtorinë për Kadastër, por regjistrimi i këtyre njësive në emrat e blerësve nuk kishte ndodhur atëkohë.

“Tash këta i kanë lëshuar tri kontrata kopje, njërën e ka ndalë gjykata, një kontratë tjetër e kemi dërgu në kadastër për ta futur në sistem. Ata njerëz kanë thënë: lëreni këtu kontratën se do ta fusim në sistem. Kjo ka qenë procedura nga zyra e Rukollit te Gjykata, nga përkthimi në Gjykatë te Kadastra, unë dhe të gjithë qytetarët e Skenderajt i kemi kryer obligimet ligjore, njerëzore, financiare. D.m.th. këtu qytetarët janë viktimë, drejtësia, ligji dhe gjykatat duhet të merren me pronarin i cili i ka manipuluar qytetarët”, thotë Halili.

Back to top button