Shotë Galica, me emër të lindjes Qerime (Halil) Radisheva u lind në vitin 1895, në Drenicë, atë kohë Vilajeti i Kosovës.
Ishte luftëtare e shquar e çetave kryengritëse shqiptare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare dhe për një regjim shtetëror demokratik në Shqipëri, Heroinë e Popullit.
Pa përfillur terrorin e armikut dhe ligjet e ashpra të kanunit, luftoi heroikisht për 12 vjet më radhë kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgarë.
Shote Galica mori pjesë në më shumë se 40 aksione të rëndësishme kundër armikut.
Kundërshtoi me konsekuencë politikën e dhunës e të terrorit të regjimit shovinist të Beogradit ndaj popullsisë shqiptare, shpronësimin e shpërnguljen e saj dhe kolonizimin sllav të trevave shqiptare.
Më 1919 mori pjesë në Kryengritjen e Rrafshit të Dukagjinit, ndërsa më 1922-1923 luftoi për mbrojtjen e Zonës Neutrale të Junikut, e cila shërbente si bazë për kryengritjen e Kosovës e të Malësisë.
Në korrik 1924 mori pjesë në mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës (Arbanisë së Vogël). Në korrik të vitit 1924, pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij.