Shkon në 14 numri i viktimave nga përmbytjet në Itali
Nuk po i duket fundi katastrofës që shkaktuan përmbytjet e ditëve të fundit, në rajonin e Emilia Romanjës në Itali.
Numri i viktimave arriti në 14 këtë të premte, pasi ekipet e emergjencës gjetën trupin e pajetë të një burri në të 70-tat, në rrethinat e Ravenës, një prej zonave të goditura më rëndë nga këto përmbytje.
Autoritetet thonë se numri i viktimave mund të rritet edhe më shumë, pasi disa persona rezultojnë të zhdukur. Moti këtë të Premte pati përmirësim, megjithatë punonjësit e emergjencave thonë se ka ende zona ku nuk është ndërhyrë.
Veç përmbytjeve masive, në 48 zona të banuara të Emilia Romanjës janë regjistruar 280 raste të rrëshqitjes së tokës.
Mbi 10 mijë janë banorët e mbetur pa strehë. Dëmet parashikohen në miliarda euro, ndërsa gjendja e katastrofës natyrore vazhdon të jetë në fuqi. Sinoptikanët parashikojnë përkeqësim të situatës, pasi pritet një ciklon i ri që do të godasë gjithë vendin gjatë orëve në vazhdim.