Reagon ish-drejtori i KMDK-së: U shkarkova vetëm pse jam vëllai i Bekim Haxhiut
Qeveria e Kosovës para tri ditësh ka shkarkuar Bordin e Drejtorëve dhe ka emëruar Bordin e përkohshëm të drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë
Lidhur me vendimin e Qeverisë ka reaguar drejtori i shkarkuar i kësaj ndërmarrje, Abdullah Haxhiu.
Përmes një reagimi publik drejtuar mediave, ish drejtori ka thënë se shkarkimi i tij ka të bëjë me çështje politike, pasi që ai është vëllai i deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.
“Skenari i vendosjes se Bordit të “dhunshëm” është bërë me të vetmin qëllim, për të zbatuar urdhrat e Qeverisë Kurti për shkarkimin tim, e që është puro politik dhe hakmarrës, pasi qe unë jam vëllai i deputetit Bekim Haxhiu, dhe Qeveria Kurti dëshiron të hakmerret ndaj meje”, thotë mes tjerash ai
Ai ka thënë se Qeveria Kurti nuk ka mundur të gjejë asnjë shkelje ligjore, gjatë kohës sa ai ka qenë në krye të kësaj ndërmarrje.
“Për dy vite e gjysmë Qeveria Kurti, nuk ka arritur të gjejë asnjë shkelje ligjore, asnjë keqpërdorim në KMDK, përkundrazi KMDK ka arritur sukses të jashtëzakonshme, nga një kompani në kolaps, që ishte buzë falimentimit, gjatë udhëheqjes time kam arritur që ta kthej këtë Ndërmarrjes Publike, me menaxhimin më të mirë të mundshëm, me bilanc afarist pozitiv dhe me performancë të shkëlqyeshme, ku në 4-5 vitet e fundit kemi raporte të Zyrës Kombëtare”.