Reagimi i ashpër i Blinken për Kosovën, Torres: Zhgënjyese të sulmosh aleatin e SHBA-së
Kongresmeni amerikan, Ritchie Torres, ka shprehur zhgënjimin e tij për reagimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, lidhur me situatën e tensionuar dje në tri komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Twitter, Torres ka thënë se Kosova është aleat i palëkundur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Sipas tij, është zhgënjyese të shohësh Blinkenin teksa sulmon publikisht një aleat të SHBA-së.
“Kosova është një aleat i palëkundur i SHBA-së. Kur SHBA-së i duheshin vende për të pranuar refugjatët afganë, Kosova ishte e para dhe ndër të paktat që u pranoi në këtë rast. Është zhgënjyese për mua dhe për votuesit e mi shqiptarë të shoh Sekretarin Blinken të sulmojë publikisht një aleat të SHBA-së”, ka shkruar ai, duke shpërndarë deklaratën e Blinkenit.