LAJME

Nagip Krasniqi i siguroi kompanisë greke tender prej 1 milion e 600 mijë eurove

Që të sigurohej se një kompani e caktuar do të fitonte tenderin prej mbi 1 milion e 600 mijë eurove, Nagip Krasniqi, kryeshefi i arrestuar i Korporatës Energjetike të Kosovës, kishte obliguar zyrtarët e Zyrës së Prokurorimit, që t’i dërgojnë e-mail njoftues kompanisë greke “ErgoTema SA” para se të hapej tenderi për aplikim.

Kjo është një nga rastet për të cilat Krasniqi, që i është caktuar një muaj paraburgim, po dyshohet për akuzën e “ushtrimit të ndikimit”.

Njoftimi kompanisë greke “ErgoTema SA” – që asnjëherë më parë s’kishte punuar për KEK-un – i kishte shkuar në dhjetor, derisa me 3 mars 2023 kompania fitoi tenderin.

Albanian Post ka siguruar dokumentet për dhënien e kontratës që dëshmojnë shkeljet ligjore në këtë proces dhe ndryshimin e kritereve të tenderit, vetëm që të eliminoheshin kompanitë e tjera dhe të fitonte “ErgoTema SA”, nga qyteti i Mandra në perëndim të regjionit të Atikës në Greqi.

Tenderi këtë herë, ndryshe nga shumica e rasteve, ishte i hapur.

Titulli i kontratës, siç tregojnë dokumentet, ishte “Pllakat Rrëshqitëse në PF, kanalet e mullinjve të thëngjillit”.

Qëllimi i këtij projekti, thuhet në dokumente, ishte “përmirësimi i modifikimit të slloteve në pllakat rrëshqitëse kah ana e kanaleve të aeroperzirjes me qëllim të përmirësimit të dilatimit të kaldajës në këto zona dhe zvogëlimin e fërkimit në këto sllote të kanaleve PF”.

Back to top button