SOCIALE

Martesa sipas drejtës Islame

Në të drejtën Islame (Sheriatit) janë katër burime, në bazë të cilit është   përpiluar jurispudenca islame, burimi primar apo kryesor  është Kur’ani(shpallja hyjnore), burimi sekondar është Hadithi( porosia profetike), si dhe burimet terciare janë Ixhmaja ( pajtueshmëria e plot juristëve islam për normat juridike) si dhe Kijasi ( normat juridike në bazë të logjikës dhe analogjisë). Kur’ani është përmbledhje dispozitash, i cili përmban, përveç tjerash, edhe dispozita juridike, por pa hyrë në shqyrtim detaj të tyre.

Rëndësia e martesës

Martesa urdhërohet në burimin kryesor të së drejtës islame, në Kur’an në suren  e katërt Nisa (Gratë) në ajetin e tretë : ” …martohuni me ato gra që ju pëlqejnë: me dy, me tri apo me katër; e nëse frikësohuni se nuk do të jeni të drejtë ndaj të gjithave njësoj, atëherë mjaftohuni me një grua…”[1] .  “Juristët islam e definojnë martesën si kontratë martesore të arritur në mes burrit dhe gruas me ç’rast fitojnë të drejtën ligjore të jetojnë në marrëdhënie intime”[2] Nga kjo e drejtë ligjore krijohen të drejtat dhe detyrimet martesore si për burrin ashtu edhe për gruan, me ç’rast do të ceki disa sikurse që janë: poligamia, monogamia, të drejtat trashëgimore , posedimi i pasurisë, pasuria që trashëgon gruaja nga prindërit e saj, si e drejtë ekskluzive të posedimit të saj etj. Martesën e ka preferuar dhe udhëzuar edhe pejgamberi Muhamedi a.s në hadithin e tij:” Kush martohet, i ka të ruajtura dy të tretat e fesë së tij”[3] Nga kjo mund të konkludojmë se sa e rëndësishme është martesa dhe si i tillë përveç ruajtjes së fesë, ka edhe vlera tjera të shumta, pikësëpari nëpërmjet martesës bëhet reprodukimi i  shoqërisë njerëzore, krijohet  harmonia familjare, jep kurajo shtesë për të punuar, krijuar më shumë, pasi që nga kjo lindin edhe obligimet shtesë. Martesa si e tillë është mbrojtëse e moralit, shëndetit të familjes dhe shoqërisë në përgjithësi.

Martesa sipas drejtës Islame definohet sipas tri kategorive të përcaktuara: ” 1. martesa është vaxhib (obligative), 2. martesa është mustehab (e preferuar), 3. martesa është mekruh (jo e pëlqyer )”[4] Martesa është vaxhib( obligative) personave  që kanë kushte materiale, strehë banimi (shtëpi apo banesë), të ardhura të mjaftueshme financiare për të mbajtur veten, gruan dhe fëmijët, dhe se nuk mund të përmbahen nga amoraliteti, pasi që martesa  e mbron  nga amoraliteti i mundshëm. Martesa është mustehab( e preferuar)  atyre personave që ka mundësi materiale për të mirëmbajtur gruan dhe fëmijët, dhe se janë të sigurt  se mund të përmbahen nga marrëdhëniet jashtëmartesore. Martesa është mekruh (jo e pëlqyer)  për të gjithë ata persona të cilët nuk kanë mundësi materiale për të përmbushur nevojat e gruas dhe të familjes, si dhe  neglizhojnë detyrimet martesore që lindin me aktin e martesës, por që mund të përmbahen nga amoraliteti.

Martesa në disa raste specifike mund të jetë edhe e ndaluar, sikurse për shembull personave që vuajnë nga ndonjë sëmundje kronike të pashëruar (p.sh. sëmundje venerike, sëmundje psikike, fizike), varfëria e skajshme nga e cila nuk e sheh ndonjë perspektivë se  një ditë mund të tejkalohet dhe të krijojë mundësi materiale për martesë.

Në përfundim të kësaj mund të përmbyll se drejta Islame preferon  martesën të gjithë personave që kanë mundësi materiale dhe mund të mbajnë familjen e tyre dhe të jetojnë një jetë normale martesore. Shkurt Islami preferon martesën, ndërsa  nuk preferon celibatin (jomartesën).

 

Back to top button