Lëndohet rëndë punëtori i ‘Oni Diamond’ në Prizren, dërgohet me urgjencë në QKUK
Punëtorët në Kosovë përballen me sfida të shumta, e ndër to është edhe rrezikut që u kanoset në vendin e punës. Jo rrallëherë ata e pësojnë keq, madje edhe tragjikisht, qoftë në ndërtimtari, apo edhe në sektorë të tjerë. Një rast i tillë i lëndimit në punë ka ndodhur edhe gjatë ditës së djeshme në Nashec të Prizrenit, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se një 23-vjeçar është dërguar atje me lëndime të rënda trupore, pasi i njëjti dyshohet se kishte rënë nga një lartësi teksa po punonte në kompaninë ‘Oni Diamond’.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se pas ekzaminimeve mjekësore, është konstatuar se i riu ka pësuar frakturë në unazën e shpinës dhe për shkak të natyrës së lëndimeve është transportuar me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’ dhe ‘Lëndim i rëndë trupor’.