LAJME
TOP LAJMI

Kurti e thotë troq: Nuk ka takim me Edi Ramën pa mbledhje të dy Qeverive

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka komentuar edhe vizitën e nesërme të kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Ai tha se me homologun e tij është takuar mjaft shpesh, ndërsa nuk planifikon të takohet me të para se të mbahet Mbledhja e Qeverive Kosovë-Shqipëri, mbledhje kjo e anuluar ditë më parë.

Kurti thotë se është në kontakt të drejtpërdrejt me Ramën, të cilit miqësisht thotë se i ka kërkuar të mbajë mbledhjen mes dy qeverive.

“Unë i kam propozuar kryeministrit Rama që, meqë po vjen këtë javë, ta mbajmë edhe një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive tona, t’i nënshkruajmë ato marrëveshje të dakorduara që janë në sirtar dhe në këtë mënyrë t’i operacionalizojmë, t’i funksionalizojmë dhe t’i zbatojmë sa më parë ato” tha Kurti.

Ai foli edhe për Procesin e Berlinit, për të cilin Rama edhe do të nisë turin ballkanik, por që ky takim do të mbahet në tetor e jo së shpejti.

Kurti thotë se është mirë të bëhen përgatitje të hershme, por që “të mos vonohet edhe më tutje me një anulim të paarsyeshëm të Mbledhjes së dy Qeverive”.

“Nëse kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, insiston në anulimin e Mbledhjes së dy Qeverive, atëherë unë ngelem të qëndrimi që i kam thënë se për takimet e ne të dyve, ne kemi kontakt të drejtpërdrejt, takohemi shumë shpesh, nuk lëngon raporti Kosovë-Shqipëri, por edhe demokracia dhe paqja në Ballkan për shkak se nuk takohen kryeministri i Kosovës dhe Shqipërisë” tha Kurti.

Back to top button