SOCIALE
TOP LAJMI

Gjashtë raste të dhunës në 24 orët e fundit në Kosovë

Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit.

Rastet janë raportuar të kenë ndodhur në Prishtinë, Shtime, Prizren, Klinë, Gjakovë dhe Zubin Potok.

Nga këto raste, Policia ka arrestuar gjashtë të dyshuar, përderisa një prej tyre është liruar në procedurë të rregullt.

Në Prishtinë, forcat e rendit kanë arrestuar një person nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht gruan e tij.

Sipas Policisë, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë tretman mjekësor, ndërkaq me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Shtime, Policia ka arrestuar një person i cili dyshohet se para disa ditësh ka kanosur ish bashkëshorten e tij.

Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.

Në Prizren ka arrestuar një person i cili po dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhuna në familje”.

Në raportin policor nuk bëhen të ditura detajet mirëpo, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Klinë, Policia e Kosovës ka arrestuar një person nën dyshimin se në ndikimin e alkoolit, ka sulmuar fizikisht gruan e tij.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa, i dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.

Po ashtu, në Gjakovë është raportuar të ketë ndodhur një rast i dhunës në familje, ku Policia ka arrestuar një person që po dyshohet se ka sulmuar fizikisht nënën e tij.

Sipas raportit policor, viktima ka pranuar tretman mjekësor ndërsa, i dyshuari me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.

Në Zubin Potok, Policia e Kosovës ka arrestuar një person që dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhuna në familje” ndaj bashkëshortes së tij.

Me vendim të prokurorit, Policia njofton se i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.

Back to top button