FIT-i parandalon një sulm terrorist, kapin një veturë me targa të Beogradit që barte armë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës ka parandaluar një sulm terrorist, duke kapur dhe sekuestruar një sasi të madhe të armatimit.
“Falë angazhimit intenziv të njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës dhe informatave/inteligjencës së pranuar, sot është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, rreth 100m larg Komunës së Zvecanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshi Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake”, ka shkruar Sveçla.
Sipas tij të gjitha këto mjete kishin për qëllim dhe shërbejnë për realizim të sulmeve terroriste ndaj qytetarëve dhe Institucioneve të Republikës së Kosovës. “Kjo është edhe një dëshmi e radhës që Serbia përmes grupeve dhe organizimeve të tilla synon të destabilizojë vendin tonë”, tha ai tutje.
“Ky rast konfirmon informacionet e pranuara nga Institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës se gjatë javëve të fundit nga territori i Serbisë janë futur në Kosovë vetura dhe automjete të tjera me armatime ushtarake”, ka shkruar Sveçla.