E rrahu gruan me dru, Glauk Konjufca e shkarkon këshilltarin e tij
Këshilltari i kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, Drilon Gashi është shkarkuar nga detyra e tij.
Një gjë e tillë është konfirmuar nga, shefi i kabinetit të Konjufcës, Ilir Kërçeli.
“Këshilltari Drilon Gashi është liruar nga detyra”, tha ai për Gazetën10.
Gashi është i dënuar nga Gjykata Themelore e Pejës për lëndim të lehtë trupor ndaj gruas së tij.
Në vendim thuhet se ai e kishte goditur gruan e tij me grushta dhe dru, duke i shkaktuar ”lëndime të lehta trupore” bashkëshortes së tij.
Por, gruaja e tij disa ditë më parë deklaroi se mes tyre kishte ndodhur vetëm një “zënkë” dhe se bashkëshorti i saj, Driloni, kishte pranuar edhe gjëra të cilat nuk kishin ndodhur.
Ndryshe, në dhjetor të vitit të kaluar, Konjufca e kishte shkarkuar nga funksioni fotografin e tij, Geralld Nikoliqin, pas arrestimit nën dyshimin për dhunë në familje.