SOCIALE

Domosdoshmëria e psikologëve dhe sociologëve në shkolla

Prania e psikologëve në shkolla shihet si një hap i domosdoshëm brenda ambienteve edukuese për nevojat dhe hallet e nxënësve që mund t’u shfaqen në vijimësi. Prania dhe këshillat e psikologëve iu ndihmojnë atyre t’i tejkalojnë më lehtë sfidat e problemet që i rrethojnë, kurse direkt a tërthorazi i ndikojnë  edhe të emancipohen e integrohen brenda rrethit shoqëror.

Bazuar në të dhënat e drejtorive të arsimit në 24 komuna të Kosovës, aktualisht numri i shkollave mbetet shumë më i madh në raport me numrin e psikologëve të angazhuar. Në disa komuna ka numër të konsiderueshëm psikologësh që i plotësojnë të gjitha shkollat, kurse në disa komuna numri i psikologëve aktiv mbetet i vogël.

Sipas hulumtimit të kryer nga “Fol Drejt”, në 24 komuna ku veprojnë 947 institucione shkollore, janë 161 psikologë të angazhuar. Nga ana tjetër, bazuar në burimet e drejtorive arsimore, këtë vit pritet të pranohen edhe 34 psikologë të tjerë për të plotësuar nevojat e shkollave.

Nga të gjeturat e 24 komunave, janë 13 komuna që kanë numër të vogël të psikologëve në institucionet edukativo-arsimore. Komuna e Mitrovicës, Junikut dhe Dragashit akoma nuk kanë asnjë psikolog të angazhuar, ndërsa Komuna e Drenasit, Kastriotit, Rahovecit dhe ajo e Elez Hanit, e kanë vetëm nga një psikolog aktiv. Gjithashtu, Komuna e Shtimes, Skenderajt, Vushtrrisë, Gjilanit, Klinës dhe Deçanit, i kanë vetëm nga tre, respektivisht katër psikologë të punësuar.

Përgjatë procesit hulumtues të targetuara kanë qenë 28 komuna, por edhe përkundër kërkesave të shumta për të marrë informacione dhe kërkesës për qasje në dokumente publike, Komuna e Malishevës, Vitisë, Mamushës dhe Fushë Kosovës, nuk kanë kthyer përgjigje.

Rolin e psikologut në shkolla nga pikëvështrimi social e zbërthen sociologu, Ferdi Kamberi. Sipas tij, viteve të fundit në Kosovë është krijuar një mjedis që po krijon sjellje devijante, e të cilat janë të pranishme edhe në ambientet e dijes. Këto sjellje tek të rinjtë sjellin paqëndrueshmëri dhe agresivitet.

“Viteve të fundit në Kosovë kemi parë se janë shpërfaqur një mori e sjelljeve devijante si në familje, në mjediset sociale, gjithashtu edhe në ambientet e shkollës. Shkolla si institucion ka qenë tempull i dijes, i krijimit të mundësive të barabarta në mes të nxënësve, krijimit të një ambienti social dhe kulturor, por tani kemi parë që çdo ditë e më shumë janë duke u shfaqur sjellje devijante, dhunë në shkolla, çrregullime të personalitetit, si dhe një mori të dukurive tjera të cilat dikur kanë qenë pak të pranishme në mjediset e tilla. Sot të rinjtë e sidomos adoleshentët kanë shumë probleme të theksuara dhe janë më hiperaktiv, janë të paqëndrueshëm me emocione, janë më agresiv, kanë sjellje asociale, si dhe një mori të problemeve të caktuara“, thekson Kamberi.

Prania e psikologëve dhe sociologëve në shkolla është hap i domosdoshëm ngase ndikon në përmirësimin e raporteve brenda komunitetit, duke shmangur konfliktet potenciale.

“Duke parë të gjitha këto dukuri, roli i psikologut, sociologut, si edhe i punonjësit social padyshim se është i lartë në shkolla, sepse minimizon problemet e cekura, ndikon në përmirësimin e raporteve ndërshoqërore brenda nxënësve në shkollë, ndikon në ngritjen e performancës shkollore, shmangien e konflikteve brenda shkollës, ka ndikim në procesin sistematik të këshillimit, ngritjen e personalitetit, si dhe shumë aspekte të tjera me të cilat ballafaqohen të rinjtë“, shton sociologu Kamberi.

I pyetur rreth numrit të vogël të psikologëve në krahasim me numrin e shkollave, Kamberi thotë që institucionet qendrore dhe lokale duhet të arrijnë deri të zgjidhja për të emëruar edhe më shumë sociologë, psikologë dhe punonjës socialë.

“Sot për fat ky numër i psikologëve është shumë i ulët në raport me numrin e nxënësve. Pastaj, sociologu dhe punonjësi social nuk figurojnë fare në shkolla, gjë që i vështirëson edhe më shumë këto probleme. Konsiderojë se niveli qendror dhe lokal duhet të gjejnë një zgjedhje për emërimin e profesionistëve të shkencave sociale, respektivisht të sociologëve, punonjësve social, mirëpo edhe të psikologëve në shkolla, në mënyrë që të ketë një komunikim sa më të fuqishëm në raportet profesionist-nxënës dhe shkollë“, përfundon Ferdi Kamberi.

Nga prizmi psikologjik, sipas psikologut Yll Avdijaj, prania e psikologëve në shkolla do të ndihmonte të zgjidheshin shumë probleme me të cilat ballafaqohen nxënësit gjatë shkollimit.

“Roli i psikologut në shkolla është i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Prezenca e aktiviteti i tij do të ishte ndihmues e do të zhvillonte edhe më shumë mbarëvajtjen e proceseve mësimore, si dhe do t’i kontribuonte rritjes së kualitetit me cilësi më të lartë të arritjeve në mësime. Psikologu mund të jetë një faktor shumë ndihmues dhe kooperues në zgjidhjen e disa problemeve të cilat mund t’i hasim nëpër shkolla si: vështirësitë e nxënësve në mësime, rënia e motivit të nxënësve, ndryshimet në performancën e tyre në mësime“, shprehet Avdijaj.

Tutje Avdijaj pohon se angazhimi i psikologëve do të ndihmonte të largoheshin shumë dukuri negative të cilat janë të pranishme në ambientet edukuese.

“Psikologu mund të jetë ndihmës edhe në zgjidhjen e problemeve sikurse që janë dukuritë negative si bullizmi, sjelljet agresive, mosmarrëveshjet e ndryshme, paragjykimet e llojeve të ndryshme si racizmi, përkatësia fetare, etnike, sociale konfliktet e ndryshme. Mungesa e psikologut në shkolla do të bënte që shumë nga çështjet e lartpërmendura, do të mbeteshin të paadresuara dhe të patrajtuara. E normalisht se edhe rezultati i tyre do të ishte negativ“.

Sipas Avdijajt, nga një psikolog për shkollë është i mjaftueshëm, por nëse numri i nxënësve është më i madh, atëherë do të duhej t’i kishin nga dy psikologë.

“Sa i përket prezencës së psikologëve nëpër disa shkolla në vendin tonë, deri më sot, kjo çështje kryesisht është bërë me vetiniciativën e shkollës apo të ndonjë komune të caktuar, mirëpo jo edhe nga institucioni i Ministrisë së Arsimit. Prandaj, akoma ka shkolla në vendin tonë që nuk kanë psikolog. Nga një psikolog për shkollë, do të ishte më së i mjaftueshëm, mirëpo nëse shkolla posedon një numër më të lartë të nxënësve, atëherë mund të jenë edhe dy psikologë“, shprehet Avdijaj.

Sipas tij, prezenca e psikologëve në shkolla nuk duhet të jetë sa për një vend pune, mirëpo duhet të kenë rol efektiv në kreativitet dhe në ligjërata psiko-edukuese.

 

“Ideja e prezencës së psikologut në shkollë nuk është vetëm sa për ta pasur një vend pune, por roli i tij duhet të jetë kreativ, të zhvilloj aktivitete dhe ligjërata psiko-edukuese me nxënësit dhe mësimdhënësit. Kjo do t’i kontribuonte zhvillimit dhe ngritjes së vetëdijes te nxënësit të cilët janë duke marrë një bazë shumë të rëndësishme edukativo-arsimore. Të flasësh me një psikolog, kjo jo vetëm që do të jetë një ndihmesë më e madhe për nxënësin apo personin i cilin po përballet me një vështirësi të caktuar psiko-emocionale, por njëkohësisht do të mësojë se si të menaxhojë me veten e tij, të jetë autentik, të ndërtojë kufijtë për ruajtjen e integritetit personal, të hapë dimensione të të menduarit në mënyrë që ta ruaj shëndetin mendor të tij“, thotë Avdijaj.

I pyetur nëse paragjykimet në mjedise të ndryshme shoqërore shkaktojnë pengesa rreth pranisë së psikologëve në shkolla, Yll Avdijaj thotë:

“Ky rol nuk guxon të paraqitet si të ishte rol polici dhe se nxënësit me sjellje të papranueshme të kërcënohen me fjalë si: “do të çoj te psikologu…”, sepse një gjë duhet ditur, psikologu nuk i trajton vetëm sjelljet devijante, por i trajton e ndihmon në ndërtimin dhe përmirësimin e kontakteve dhe marrëdhënieve më të mira dhe më cilësore përbrenda shkollës. Është e kuptueshme se, psikologu si profil është një profesion i ri në vendin tonë, me ç’rast shpesh edhe ngatërrohet me psikiatrin nga opinioni i gjerë. Në njëfarë mënyre mendohet sikur psikologu i trajton vetëm ata të cilët “janë të sëmurë mendor”. Jo, një gjë e tillë nuk qëndron, pasi që dimensioni i psikologut është më i gjerë se kaq. Paragjykimet dhe stigma akoma janë prezente në mjedisin tonë shoqëror dhe shpesh mund të them se është edhe një nga pengesat kryesore në zhvillimin dhe aplikimin e këtij profesioni nëpër shkolla“.

Më poshtë mund t’i lexoni të dhënat statistikore rreth shkollave dhe psikologëve të angazhuar në institucionet shkollore:

KOMUNA E SKENDERAJT: Gjithsej 39 Institucione Shkollore: 34 shkolla fillore, 4 shkolla të mesme dhe 1 çerdhe. Janë 3 psikologë aktiv. Sipas burimeve nga Komuna e Skenderajt, pritet të punësohen edhe tre psikologë të tjerë.

KOMUNA E PODUJEVËS: Gjithsej 59 Institucione Shkollore: 53 shkolla fillore, 4 shkolla të mesme dhe 2 çerdhe. Janë 3 psikologë aktiv në shkollat e mesme dhe 7 psikologë në shkollat fillore e disa prej psikologëve i mbulojnë 2-3 shkolla sipas legjislacionit në fuqi.

KOMUNA E KAÇANIKUT: Gjithsej 23 Institucione Shkollore: 20 shkolla fillore, 2 shkolla të mesme dhe 1 çerdhe. Janë 5 psikologë aktiv të shpërndarë në të gjitha shkollat. Nga burimet e Komunës së Kaçanikut, thuhet se për shkak të numrit të vogël të nxënësve, një psikolog punon tri ditë në një shkollë dhe dy ditë të tjera në një shkollë tjetër. Ndërsa, gjatë këtij viti Komuna e Kaçanikut do ta punësojë edhe një psikolog.

KOMUNA E PRISHTINËS: Gjithsej 81 Institucione Shkollore: 50 shkolla fillore, 14 shkolla të mesme dhe 17 çerdhe. Janë 34 psikologë aktiv. Sipas Drejtorisë së Arsimit nga Komuna e Prishtinës, këtë vit janë punësuar 25 psikologë të ri dhe do të vazhdohet me punësimin e psikologëve të tjerë. Nga ana tjetër, DKA në Prishtinë është duke vazhduar në vijimësi bashkëpunimin me Ministrinë e Arsimit, Fakultetin e Psikologjisë dhe organizata të tjera rreth çështjes së psikologëve në institucionet shkollore.

 

KOMUNA E GJAKOVËS: Gjithsej 65 Institucione Shkollore: 51 shkolla fillore, 9 shkolla të mesme dhe 5 çerdhe. Janë 7 psikologë aktiv. Nga të dhënat e Drejtoratit për Arsim nga Gjakova, thuhet se është bërë kërkesë te Zyra e Burimeve Njerëzore për punësimin edhe të 5 psikologëve të tjerë. Gjithashtu, Komuna e Gjakovës bëjnë me dije se janë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit rreth planifikimit për të krijuar vende pune për psikologë të ri në mënyrë që të mbulohen të gjitha shkollat.

KOMUNA E THERANDËS: Gjithsej 50 Institucione Shkollore: 40 shkolla fillore, 3 shkolla të mesme dhe 7 çerdhe. Janë të angazhuar 11 psikologë.

KOMUNA E PEJËS: Gjithsej 46 Institucione Shkollore: 39 shkolla fillore, 6 shkolla të mesme dhe 1 çerdhe. Janë 19 psikologë aktiv. Duke u bazuar në informacionet e Komunës së Pejës, gjatë dhjetorit të vitit të kaluar janë punësuar 11 psikologë. Ndërsa, punësimet e kuadrit profesional mbështetës i planifikojnë bazuar edhe në politikat e Ministrisë së Arsimit.

KOMUNA E ISTOGUT: Gjithsej 32 Institucione Shkollore: 24 shkolla fillore, 3 shkolla të mesme 5 çerdhe. Janë 5 psikologë aktiv që i mbulojnë të 13 shkollat. Sipas informacioneve nga Drejtoria e Arsimit nga Istogu, është kërkuar nga Ministria e Arsimit që të lejohet rritja e numrit të psikologëve, mirëpo akoma nuk kanë marrë përgjigje konkrete. “Kemi pas takime me Ministren e Arsimit dhe kemi kërkuar që të na lejohet rritja e numrit të psikologëve, mirëpo kërkesa jonë nuk ka marrë akoma asnjë përgjigje. Ne kemi kërkuar nga ministria që të na rritet edhe numri i edukatoreve në kopshte”, thonë burimet nga Komuna e Istogut.

KOMUNA E DEÇANIT: Gjithsej 24 Institucione Shkollore: 22 shkolla fillore dhe 2 shkolla të mesme. Të angazhuar janë 4 psikologë.

KOMUNA E MITROVICËS: Gjithsej 44 Institucione Shkollore: 38 shkolla fillore, 5 shkolla të mesme dhe 1 çerdhe. Sipas të dhënave nga Komuna e Mitrovicës akoma nuk ka të punësuar asnjë psikolog në shkolla. Njëjtë sikurse Komuna e Istogut, edhe Komuna e Mitrovicës, akoma nuk ka marrë përgjigje konkrete nga Ministria e Arsimit për punësimin e psikologëve në shkolla.

“Komuna e Mitrovicës nuk ka asnjë psikolog të punësuar dhe jemi duke e shqyrtuar si urgjente këtë çështje. Për vende të reja të psikologëve, më saktësisht për 13 psikologë, iu kemi drejtuar Ministrisë së Arsimit në shtator të vitit të kaluar, mirëpo ende nuk kemi marrë përgjigje. Vendet e reja të punës, sikurse numrat, ashtu edhe pozitat, duhet të miratohen nga qeveria dhe ende nuk kemi përgjigje”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Arsimit nga Mitrovica.

KOMUNA E DRENASIT: Gjithsej 34 Institucione Shkollore: 30 shkolla fillore, 2 shkolla të mesme dhe 2 çerdhe. Burimet nga Komuna e Drenasit bëjnë me dije se të gjitha nevojat e shkollave i plotësojnë me psikologun komunal i cili është në kuadër të Drejtorisë për Kulturë dhe Arsim. Nga Drejtoria e Arsimit në Drenas thonë se do të punësohen edhe 4 psikologë të tjerë.

KOMUNA E DRAGASHIT: Gjithsej 30 Institucione Shkollore: 29 shkolla fillore dhe 1 shkollë të mesme. Komuna e Dragashit sikurse Komuna e Mitrovicës, nuk ka asnjë psikolog të punësuar. Ndërsa, thonë që janë në kontakt me Ministrinë e Arsimit dhe po punojnë që ta ndryshojnë këtë situatë.

 

KOMUNA E GJILANIT: Gjithsej 47 Institucione Shkollore: 33 shkolla fillore, 8 shkolla të mesme dhe 6 çerdhe. Sipas Komunës së Gjilanit, edhe shkollat e komunitetit serb janë nën menaxhimin e Komunës së Gjilanit. Janë 4 psikologë aktiv e disa të tjerë punojnë me gjysmë norme. Nga Gjilani thonë se janë në pritje të konkursit për të shtuar numrin e psikologëve: “Jemi duke planifikuar konkurs për psikologë, ku së shpejti do ta shpallim konkursin e më pas do t’i trajnojmë për punën në shkolla”.

KOMUNA E SHTIMES: Gjithsej 20 Institucione Shkollore: 17 shkolla fillore, 2 shkolla të mesme dhe 1 çerdhe. Janë 3 psikologë aktivë.

KOMUNA E KLINËS: Gjithsej 29 Institucione Shkollore: 26 shkolla fillore, 2 shkolla të mesme dhe 1 çerdhe. Të angazhuar janë 4 psikologë.

KOMUNA E PRIZRENIT: Gjithsej 86 Institucione Shkollore: 70 shkolla fillore, 15 shkolla të mesme dhe 1 çerdhe. 15 shkolla fillore në qytet dhe 37 shkolla fillore janë në fshatra. 5 shkolla të mesme janë në qytet dhe kanë paralele edhe në Zhur, Gjonaj, Romajë, Zym, Velezhë dhe Reqan. Janë të punësuar 15 psikologë. Gjithashtu, janë të angazhuar edhe 6 pedagogë dhe 6 mësimdhënëse mbështetëse.

Drejtoria e Arsimit në Prizren është duke planifikuar hapat e mëtutjeshëm për punësimin e psikologëve të tjerë. “Drejtoria Komunale e Arsimit në mënyrë që të mbulohet shërbimi psikologjik, në të gjitha shkollat ka planifikuar që të punësojë edhe psikologë të tjerë. Psikologët sigurojnë shërbime të drejtpërdrejta për fëmijët dhe nxënësit në nevojë. Ata bëjnë vlerësimin më efikas të rezultateve të nxënësve”, përgjigjen nga Drejtoria e Arsimit në Prizren.

DKA në Prizren ka themeluar edhe ekipin vlerësues të psikologëve në nivel komune. “Duhet theksuar se me plotësimin e numrit të psikologëve në të gjitha shkollat, do të rritet edhe më tej shërbimi këshillimor dhe trajnues për stafin e shkollës dhe prindërit. DKA ka themeluar edhe ekipin vlerësues të psikologëve në nivel komune, i cili mblidhet rregullisht për të biseduar planin e punës së psikologëve në shkolla. Ky grup vlerësues në bashkëpunim me psikologët, pedagogët dhe mësimdhënësit mbështetës, ndihmojnë shkollat në krijimin e shkollave të sigurta dhe ambienteve pozitive, të cilat ndihmojnë në të mësuarit dhe sjelljen e nxënësve”, thonë burimet informative nga Prizreni.

KOMUNA E KASTRIOTIT: Gjithsej 18 Institucione Shkollore: 15 shkolla fillore, 2 shkolla të mesme 1 çerdhe. Vetëm 1 psikolog aktiv. Gjithashtu, Komuna e Kastriotit e ka hapur konkursin edhe për punësimin e tre psikologëve.

KOMUNA E ELEZ HANIT: Gjithsej 7 Institucione Shkollore: 5 shkolla fillore, 1 shkollë e mesme dhe 1 çerdhe. Vetëm 1 psikolog aktiv dhe sipas informacioneve nga Elez Hani është planifikuar edhe punësimi i dy psikologëve të tjerë.

KOMUNA E RAHOVECIT: Gjithsej 37 Institucione Shkollore: 32 shkolla fillore, 4 shkolla të mesme, dhe 1 çerdhe. Është vetëm 1 psikolog aktiv. Sipas Drejtorisë së Arsimit nga Rahoveci, 3 psikologë dhe 3 pedagogë do të punësohen së shpejti.

 

KOMUNA E VUSHTRRISË: Gjithsej 43 Institucione Shkollore: 38 shkolla fillore, 3 shkolla të mesme dhe 2 çerdhe për fëmijë. Janë 3 psikologë të angazhuar dhe në procedurë të punësimit janë edhe disa psikologë të tjerë bazuar në të dhënat e Drejtorisë së Arsimit nga Vushtrria.

KOMUNA E LIPJANIT: Gjithsej 55 Institucione Shkollore: 48 shkolla fillore, 4 shkolla të mesme dhe 3 çerdhe. Të angazhuar janë 5 psikologë.

KOMUNA E FERIZAJIT: Gjithsej 60 Institucione Shkollore: 50 shkolla fillore, 8 shkolla të mesme dhe 2 çerdhe. Janë 17 psikologë të angazhuar.

KOMUNA E JUNIKUT: Gjithsej 2 Institucione Shkollore: 1 shkollë fillore dhe 1 shkollë e mesme. Nuk ka asnjë psikolog të angazhuar. Sipas Drejtorisë së Arsimit nga Juniku, akoma nuk kanë pasur takim me Ministrinë e Arsimit, mirëpo presin që në të ardhmen t’u lejohet pranimi i psikologëve. “Nuk kemi pasur bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit rreth çështjes së psikologëve, mirëpo shpresojmë në një të ardhme shumë të afër të na lejohet në planifikim të buxhetit edhe pozita e psikologëve”, thonë nga Komuna e Junikut.

KOMUNA E KAMENICËS: Gjithsej 16 Institucione Shkollore: 10 shkolla fillore, 3 shkolla të mesme dhe 3 çerdhe. Janë të angazhuar 8 psikologë.

Sipas drejtorive arsimore në Istog e Mitrovicë, Ministria e Arsimit akoma nuk iu ka kthyer përgjigje rreth angazhimit të psikologëve në shkollat e tyre. “Fol Drejt” i ka dërguar kërkesë me shkrim Ministrisë së Arsimit për të kërkuar sqarime në lidhje me angazhimin e psikologëve në shkollat e Mitrovicës dhe Istogut, por nuk kanë dhënë përgjigje.

Shikuar nga aspekti ligjor, komunat kanë përgjegjësi t’i hapin konkurset për punësim pasi të miratohen pozitat nga ana e nivelit qendror. Ligji për Vetëqeverisje Lokale është miratuar më 20 shkurt të vitit 2008 nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare më 4 qershor të atij viti.

Sipas Nenit 2 në kuadër të fushëveprimit shkruan: Ky ligj përkufizon statusin ligjor të komunave, kompetencat dhe parimet e përgjithshme të financave komunale, organizimin dhe funksionimin e organeve komunale, marrëdhëniet brenda komunale dhe bashkëpunimin ndërkomunal, si dhe bashkëpunimin ndërkufitar dhe marrëdhëniet ndërmjet komunave dhe pushtetit qendror.

Sa i përket angazhimit të psikologëve në shkolla, çështja është parlamentarizuar edhe në Kuvendin e Kosovës. Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Mirlinda Tishukaj-Sadiku, në një seancë parlamentare ka ngritur zërin rreth kësaj teme, duke thënë që Ministria e Arsimit i ka hapur 520 pozita për angazhimin e psikologëve shkollorë, por që komunat kanë kompetenca për të shpallur konkurset dhe t’i angazhojnë psikologët.

“Në fjalimet publike, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka ngritur shqetësimin se qeveria i ka miratuar 520 pozita për psikologë shkollorë, mirëpo vetëm 1/3 e tyre janë angazhuar. Ne e dimë që komunat në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale kanë kompetencë për shpalljen e konkurseve në nivel komune“, është shprehur Tishukaj-Sadiku./FolDrejt/

Back to top button