LAJME

Çfarë janë dronët Bayraktar që raportohet se ka blerë FSK-ja?

Dje në medie të Kosovës është raportuar se Forca e Sigurisë së Kosovës ka blerë dronë nga Turqia të llojit Bayraktar dhe se ata tashmë kanë mbërritur në Kosovë.

Deri me tani ky lajm nuk është konfimuar nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Por çfarë është droni “Bayraktar”?

Ky lloj droni për herë të parë ka fluturuar më 2014 dhe është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayrakar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit. Ai krahasohet me amerikanin Elon Musk, për avionin unik ushtarak që ka zhvilluar dhe për një prani në rrjetet sociale, ku shpesh është i egër ndaj kritikëve të tij.

Bayraktar, i cili është shef i teknologjisë në kompaninë e mbrojtjes Baykar, më 2016 është martuar me vajzën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Bayraktar TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij. Kjo fluturake, po ashtu, mund të pajisjet me katër raketa të llojit të “mikro municioneve të mençura”, që janë mjaft të sakta për të shkatërruar automjete të blinduara nga disa kilometra distancë.

Dronët e tillë të llojit TB2, përdoren nga ushtritë e disa shteteve dhe janë dërguar edhe në Ukrainë për të ndihmuar forcat e Kievit që të luftojnë kundër pushtimit rus.

Pavarësisht se çmimi i një Bayraktari TB2 nuk është bërë publik, më herët gjatë këtij viti ishte organizuar mbledhja e fondeve për të blerë dronë të tillë për Ukrainën dhe organizatorët e mbledhjes së këtyre fondeve kishin sugjeruar se 5 milionë euro janë të mjaftueshme për një dron.

Back to top button