LAJME

Asociacioni si kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE, krejt çka tha Escobar dje

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se zbatimi i marrëveshjes Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve, që u arrit në Ohër, fillon me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai i bëri këto komente një ditë pas takimit të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, në të cilin palët mos mospajtimeve diskutuan për projekt statutin e Asociacionit, themelimi i të cilit kërkohet edhe me marrëveshjen e Ohrit, të cilën  Escobar e cilësoi ligjërisht të detyrueshme.

“Zbatimi fillon me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha zoti Escobar duke theksuar se brenda dy javësh kryenegociatorët e të dyja vendeve pritet të takohen për të diskutuar këtë çështje dhe të punojnë për një statut që funksionon.

“Ky proces është shumë i rëndësishëm dhe të dyja palët, posaçërisht Kosova, duhet ta marr seriozisht dhe të ecë përpara në mënyrë të përshpejtuar”, tha Escobar dukë nënvizuar se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë të përqendruar që marrëveshja e Ohrit të bëhet realitet dhe ky realitet bëhet me Asociacionin.

Ai tha se pati një përparim të vogël rreth themelimit të asociacionit në bisedimet e së martës, për të cilat shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha se ishin “një hap simbolik” rreth kësaj çështjeje.

Ndonëse jo në mënyrë eksplicite, Escobar tha se tash që Kosova kaloi etapën e parë, KiE duhet të shohë standarde të larta të demokracisë në vend. E këtu, ai u ndërlidh me Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe nevojën për ta themeluar atë, si kusht për plotësimin e standardeve të KiE-së.

Sipas emisarit amerikan, Këshilli i Evropës, gjatë shqyrtimit të mëtejshëm të aplikimit, do të fokusohet ekskluzivisht edhe në situatën e komunitetit serb në Kosovë.

“Këshilli i Evropës e ka për detyrë të sigurojë që në hapësirën evropiane brenda atyre shteteve që aplikojnë, standardet e demokracisë dhe lirisë demokratike të zbatohen plotësisht. Kur them se është obligim, them se ka hapësirë brenda KiE për të shqyrtuar kushtet dhe statusin e pakicës serbe në Kosovë. Ky do të jetë një fokus i madh i hapit të ardhshëm të KiE”, deklaroi sot Escobar në një bashkëbisedim online me gazetarë.

Vlen të theksohet se çdo vend që i bashkohet Këshillit të Evropës pranon t’u nënshtrohet mekanizmave të pavarur monitorues që vlerësojnë përputhjen e atij shteti me të drejtat e njeriut dhe praktikat demokratike.

Escobar përsëriti se në këtë aspekt, duhet të shohim lëvizje drejt themelimit të Asociacionit, çështje kjo që vazhdon të shkaktojë ndasi mes palës kosovare dhe asaj serbe në dialog.

“Në këtë kontekst, mendoj se duhet të shohim lëvizje në Asociacion, lëvizje për adresimin e disa shqetësimeve legjitime që ka minoriteti serb në veri të Kosovës për trajtimin e tyre. KiE është një detyrim dhe madje i rëndësishëm, veçanërisht tani”, tha tutje ai.

Në takimin e së martës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ekipi menaxhues prezantoi një draft statut për Asociacionin.

Ky draft u refuzua nga shefi i ekzekutivit, përfaqësues i palës kosovare, nën arsyetimin se nuk përputhet me Kushtetutën e Kosovës.

Të dy palët pritet që brenda këtij muaji të takohen sërish, për të diskutuar tutje në lidhje me progresin në përcaktimin e një propozimi konkret që iu përshtatet të dyjave, Kosovës dhe Serbisë.

Kjo ishte thirrja edhe e emisarit amerikan Gabriel Escobar.

“’Topi është në fushën e të dy palëve tani’, për të filluar t’i formësojnë propozimet e tyre për t’i bërë më të pranueshme për palën tjetër dhe të fillojnë të punojnë në një model që mund të funksionojë në kornizat evropiane dhe që do t’i mbronte të drejtat e komunitetit të serbëve në Kosovë”.

Back to top button