LAJME

Dramë në familjen Miftari: I zoti i shtëpisë e përzë mikun me armë, dëgjohen edhe të shtëna

Konfliktet mes familjes së gruas dhe dhëndrit, janë të shpeshta në vendin tonë. Ato shpesh eskalojnë edhe në fyerje, të shara e sulme fizike. E përpos grushteve, në shumë raste përdoren edhe mjete të forta e armë, ku si pasojë, shumë herë kanë përfunduar edhe tragjikisht, raporton Gazeta Sinjali.

Telashe pati së fundi edhe në familjen Miftari në fshatin Mirosale të Vitisë, ku kryefamiljari dyshohet se ka përzënë babanë e nuses i cili kishte shkuar në shtëpinë e tyre për vizitë.

Sinjali mëson se këtë ai nuk e bëri duarthatë, por që me një armë të cilën e mbante me vete. Në gjithë këtë tollovi kishte ndërhyrë djali i të dyshuarit, i cili ka arritur që t’ia shtyjë dorën babait të tij dhe me këtë rast dyshohet është shkrehur edhe arma.

Drama vazhdoi edhe më tej, kur duke tentuar që t’i hiqet arma nga dora, është shkrepur sërish duke goditur veturën e 67-vjeçarit që po përballej me kërcënime serioze nga vjehrri i vajzës.

Për rastin u njoftua edhe Policia, të cilët kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë, një predhë dhe armën që dyshohet se u përdor në rast, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 63-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e dy veprave penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.

Back to top button