LAJME
TOP LAJMI

Qytetarët mbështesin veprimet e Kurtit në veri, ja çfarë fjalë kanë për kryeministrin

Qytetarët e Mitrovicës po i mbështesin veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri. Ata thonë se prezenca e shtuar e policisë në atë pjesë, pastaj arrestimet dhe veprimet tjera në veriun e vendit, janë në kuadër të Kushtetutës dhe mandatit ligjor, si dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie. Sipas tyre, qeveria edhe në planin ndërkombëtarë është duke vepruar drejt, sepse veprimet e saj janë në interes të përgjithshëm.

Banori i Mitrovicës, Nazmi Fejza thotë për KosovaPress se Kosovës më në fund po i vie era shtet.

Ai shprehet se është ithtar i flakët i zbatimit të ligjit dhe sipas tij, kushdo që nuk dëshiron ta respektojë ligjin, duhet të përgjigjet.

Asnjëri që mban pozita politike, shtoi ai, nuk duhet të jetë servil ndaj askujt, qofshin ata edhe ndërkombëtarët, sepse siç tha ai, duhet të mbrohen interesat e shtetit në radhë të parë.

“Është duke i ardhur era Kosovës shtet, për shkak se ka filluar më në fund të zbatohet ligji…Ata që duan të jetojnë në Kosovë duhet ta respektojnë shtetin dhe ligjet e Kosovës. Ata që nuk duan ta respektojnë ligjin dhe kushtetutën, duhet të përgjigjen… Unë jam ithtar i flakët i zbatimit të ligjit. Çdo pushtetar, qoftë ekzekutiv, qoftë legjislativ, i cili e zbaton ligjin, e ka përkrahjen time të parezervë… Nuk duhet asnjë qytetar që ka pozita politike, të jetë servil ndaj askujt. Duhet t’i mbrojë interesat e shtetit, sepse për këtë arsye janë zgjedhur. Bashkësia Ndërkombëtare duhet të jetë më realiste… sepse nuk kanë të drejtë që janë duke u pozicionuar gabueshëm… Kosova është projekt i perëndimit, projekt amerikan dhe një produkt të veten, Amerika asnjëherë nuk e shkatërron dhe rrezikon”, thotë Fejza.

Mitrovicasi tjetër, Esat Azemi i quajti të drejta veprimet e qeverisë në veri të Kosovës, duke thënë se i mbështet plotësisht ato.

Sipas tij, duke i dëgjuar ndërkombëtarët, krerët e UÇK-së sot ndodhen në Hagë, ndërsa shteti i Kosovës ka humbur mijëra hektarë tokë.

“Sigurisht që i mbështesim, sepse qeveria është dukë vepruar vetëm sipas kushtetutës… Këto adete na i kanë mësuar e bërë ndërkombëtarët, e tash cka po duan, pse mos me vepru, pse mos me arrestu një kriminel… Duke i dëgjuar ndërkombëtarët shkuam në Hagë, Maqedonia na i mori disa hektarë tokë, edhe në Mal të Zi 8 mijë e 200 hektarë… Unë falënderoj Zotin që i ka dhuru Kosovës një njeri si Albin Kurti”, thekson Azemi.

Ndërkaq, Nuredin Dinarama, duke folur për situatën e përgjithshme të sigurisë në veri, potencon se ajo nuk ka qenë asnjëherë më e mirë sesa tani.

Ai apelon te të gjitha partitë që të bëhen bashkë dhe ta mbështesin kryeministrin Kurti, edhe nëse Kosova sanksionohet.

“Situata kurrë s’ka qenë më e mirë… Sigurisht që po (i mbështes veprimet e qeverisë). Këto janë banda kriminale… Opozitë e të gjithë çka janë duhet me përkrahë, me qenë në një rrugë, me ja ndihmu. Kurrë punët më mirë s’i kemi pasur… Në të gjitha komunat po valëviten flamujt e Kosovës, siguria është në nivel, që kurrë s’ka qenë… Po ata (ndëkombëtarët) kurrë s’na kanë përkrahur,… O ne t’bëhet se më fukarallëk nuk bëhet. Janë njerëz të vendosur, deri në fund kemi me shku kismet prej Zotit”, thotë ai.

Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike, Emir Azemi shprehet për KosovaPress se Policia e Kosovës në veri është duke ushtruar mandatin e saj ligjor në të mirë të të gjithë qytetarëve, pa dallim.

Ai kujton se në të kaluarën qytetarët e asaj pjese kanë qenë të rrezikuar për vite të tëra nga grupe të caktuara ekstremistësh, andaj thotë, prezenca e policisë atje është e domosdoshme.

Sipas tij, Kosova nuk duhet në asnjë mënyrë të konfrontohet me faktorin ndërkombëtarë, por duhet që ata t’i bindë me argumente se veprimet e qeverisë në atë pjesë janë në interes të stabilitetit të përgjithshëm.

“Policia e Kosovës në veriun e Kosovës është duke ushtruar mandatin e saj ligjor në të mirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim etnie, sepse në ditët dhe muajt e kaluar (qytetarët) kanë qenë të rrezikuar nga grupe të caktuara ekstremiste, të cilat kanë vepruar dhe veprojnë në veriun e Kosovës tash e shumë vite… Serbët në veri për shumë vite e kanë keqpërdorur në njëfarë forme të vrazhdë prezencën e faktorit ndërkombëtarë. Sa herë kanë dashur të bëjnë probleme ose të shtyjnë proceset, ata kanë shkaktuar incidente, pastaj faktori ndërkombëtarë i ka shtyrë proceset me muaj e vite. Mos harroni se jemi 23 vite pas luftës dhe ende ura është e bllokuar. Kjo nuk nënkupton që ne të konfrontohemi me faktorin ndërkombëtarë, por ne faktorit ndërkombëtarë duhet t’ia argumentojmë se veprimet tona në veri janë në interes të stabilitetit të përgjithshëm, të ruajtjes së paqes, sigurisë, jetës dhe pronës së qytetarëve të Republikës së Kosovës… dhe assesi nuk janë kundër qytetarëve serbë të cilët jetojnë në Republikën e Kosovës”, sqaron Azemi për KosovaPress.

Tensionet në veri të Kosovës kanë filluar më 26 maj, kur kryetarët e zgjedhur në Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq kanë shkuar në objektet komunale, të asistuar nga Policia e Kosovës. Situata ka eskaluar më datën 29 maj, kur grupet kriminale kanë sulmuar Policinë e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, ku rreth tridhjetë prej tyre kanë mbetur të lënduar

Komuniteti ndërkombëtar i ka drejtuar tri kërkesa kryeministrit Kurti, lidhur me situatën në veri: Shtensionimin e situatës atje, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ditë më parë, kryeministri Albin Kurti ka paraqitur pesë pika për situatën në veri, ku fokus sipas tij, duhet të jetë sundimi i ligjit në katër komunat veriore.

Ndërkaq, më (29 qershor), Kurti ka paraqitur propozimin e ri për shtensionimin e situatës në veri. Ai ka paraqitur katër hapa konkretë që Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i ndërmarrë për t’i kontribuar rikthimit të stabilitetit në veri. Mirëpo, ka thënë se presin edhe nga Serbia që të zotohet për tërheqje të protestuesve të dhunshëm nga ndërtesat komunale dhe të bashkëpunojë për paraburgimin dhe procedimin gjyqësor të kryesve të dhunës nga ana e Kosovës.

Back to top button