LAJME

Tërnava në mesazhin e Kurban Bajramit: Lutemi që të ketë sa më pak konflikte, ngatërresa e luftëra

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava me rastin e festës së Kurban Bajramit, në fjalimin e tij të përvitshëm, tha se kjo festë gjithmonë ka përçuar formën më të mirë të mundshme shpresën, begatinë, solidaritetin, ndihmën për tjetrin, urtësinë, paqen e mirëkuptimin.

Kreu i BIK-ut ka uruar besimtarët për siç tha festën e madhe të Kurban Bajramit, duke lutur Zotin për shëndet, mbarësi, begati, dashuri e harmoni. Ai tha se të gjithë besimtarët luten që në këtë kohë trazirash, luftërash, pasiguri, konflikte e frikë bota të ketë sa më pak konflikte, ngatërresa e luftëra.

“Festa e Kurban Bajramit te ne vazhdimisht ka përçuar në formën më të mirë të mundshme shpresën, begatinë, solidaritetin, ndihmën për tjetrin, urtësinë, paqen e mirëkuptimin, vlera këto që shoqërisë i japin kuptim dhe këtë na e kërkon edhe Krijuesi ynë”.

“Sot po jetojmë në një kohë trazirash, luftërash, pasiguri, konflikte e frikë, në këtë ditë të madhe, në vigjilje të Kurban Bajramit, lutemi që mesazhet dhe porositë që i bartë kjo festë të kuptohen drejtë nga të gjithë; lutemi po ashtu që bota të ketë sa më pakë konflikte, ngatërresa, luftëra e çrregullime. Festa e Kurban Bajramit ka edhe domethënien e paqes, drejtësisë, unitetit e mirëkuptimit. Duke ju uruar për festën e madhe të Kurban-Bajramit, lus Zotin për shëndet, mbarësi, begati, dashuri e harmoni në familjet tuaja”.

Duke folur për kushtet e islamit, Tërnava përmendi haxhin, duke shtuar se në mesin e miliona hanxhinjve nga e gjithë bota, të cilët gjenden në Arafat, janë edhe besimtarët nga Kosova të cilët në formën më të mirë me lutje e adhurim, shprehin me ndjesinë më të thellë besimin dhe përkushtimin e tyre ndaj Krijuesit të gjithësisë.

Sipas tij, prerja e kurbanit në Ditën e Bajramit është një ibadet tjetër shtesë që siç thotë, argumenton po ashtu shpirtin e bindjes për Zotin.

“Më lejoni që në këtë ditë të madhe të Arafatit, në prag të festës së Kurban-Bajramit, t’u drejtohem me urimet e përgëzimet më të mira, duke lutur Zotin xh.sh. që t’ju begatoj me shëndet, harmoni, mbarësi e mirëqenie. Në mesin e miliona hanxhinjve nga e gjithë bota, të cilët sot gjenden në Arafat, janë edhe besimtarët tanë nga Kosova dhe viset tjera, të cilët në formën më të mirë me lutje e adhurim, të përkushtuar, pa dallim statusi shoqëror, gjinie, etnie, gjuhe e origjine, shprehin me ndjesinë më të thellë besimin dhe përkushtimin e tyre ndaj Krijuesit të gjithësisë”.

“Kryerja e Haxhit përmban në vete urtësi e begati të shumta. Haxhi na rikujton udhëtimin për tek Zoti xh.sh., duke pasur për qëllim që haxhiu të kthehet i pa mëkate. Edhe prerja e kurbanit në Ditën e Bajramit është një ibadet tjetër shtesë ndërkaq, argumenton po ashtu shpirtin e bindjes për Zotin dhe në të njëjtën kohë ka për qëllim qoftë edhe për një kohë të caktuar mbylljen e hendekut dhe ndasive mes shtresave të ndryshme shoqërore, duke rritur bashkëpunimin dhe duke afruar ndihmën dhe duke i dhënë dorën njëri-tjetrit”.

Back to top button