LAJME

Kompanitë e Safetit morën 112 milionë euro tendera nga Rama

Publikimi i videos duke kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë në zyrën e tij, mund t’i japë fund karrierës politike të Safet Gjicit, por kryebashkiaku i saposhkarkuar i Kukësit ka krijuar një perandori financiare familjare. Dy kompani të themeluara nga Safet Gjici, Eurogjici-Security dhe Kevin Construksion, që sot menaxhohen nga vëllai i tij Lavdrim Gjici, vetëm gjatë 7 viteve të fundit kanë fituar të vetme dhe në bashkëpunim tendera publikë me vlerë mbi 112 milionë euro, raporton Report TV.

Në mars të vitit 2001, Safet Gjici themelon kompaninë e sigurisë dhe ruajtjes fizike Eurogjici-Security. Në 23 prill 2014 i dhuron aksionet vëllait të tij Lavdrim Gjicit. Nga viti 2015, kompania Eurogjici-Security, me administrator dhe aksioner të vetëm vëllain e Safet Gjicit, rezulton se ka fituar (e vetme dhe në bashkëpunim me firma të tjera) 48 tendera nga organet e pushtetit vendor dhe qendror, me vlerë rreth 62 milionë euro.

Në dhjetor të vitit 2006, Safet Gjici themelon kompaninë e ndërtimit Kevin Construksion. Në 19 prill të vitit 2014, Safet Gjici ia dhuron aksionet vëllait të tij, Lavdrim Gjicit. Gjatë 7 viteve të fundit, kompania e ndërtimit Kevin Construksion ka marrë 20 tendera publikë (5 e vetme dhe 15 në bashkëpunim) me vlerë mbi 50 milionë euro.

Safet Gjici ka pasur 87.5 % të aksioneve edhe në Klubin e Futbollit të Kukësit, duke qenë edhe President i klubit. Në prill të vitit 2014, Gjici ia kalon aksionet e klubit sërish vëllait të tij, Lavdrim Gjicit. Ndërkaq, krahas një vile me 3 kate në Tiranë, 9 pasuri të palujtshme (apartamente dhe njësi ndërtimore), një lokal pranë Parlamentit, Kevin Bar, është në pronësi të bashkëshortes së Gjicit, Manjola Gjici.

Back to top button