LAJME

I zhdukur që nga 1986, shkrirja e akullnajës zbulon mbetje njerëzore të alpinistit në Zvicër

Mbetjet njerëzore të trupit të një alpinisti gjerman të zhdukur që nga viti 1986, janë gjetur pas shkrirjes së një akullnaje afër Matterhornit të famshëm të Zvicrës.

Trupi u zbulua në fillim të këtij muaji nga alpinistët që kaluan aty pranë. Ata vunë re një çizme me lidhëse të kuqe dhe pajisje për ngjitje, si dhe mbetjet njerëzore.

Analiza e ADN-së tregoi se trupi ishte i një alpinisti gjerman, i cili u zhduk 37 vjet më parë. Një operacion i madh kërkim-shpëtimi në atë kohë nuk arriti të gjente asnjë gjurmë të tij. Policia nuk e përmendi emrin e alpinistit, por bëri të ditur se ai ishte 38 vjeç kur u zhduk.

Pothuajse çdo verë, akulli i shkrirë zbulon diçka, ose dikë, të humbur për dekada. Vitin e kaluar rrënojat e një avioni që u rrëzua në 1968 dolën nga akullnaja Aletsch.

Back to top button