60% e shqiptarëve nuk janë në gjendje të përballojnë një javë pushime
Turistët e huaj po e vizitojnë vendin tonë gjithmonë e më shumë, por vetë shqiptarët e kanë të vështirë që të përballojnë pushimet. Një publikim i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) tregon se 60% e shqiptarëve nuk janë në gjendje që të përballojnë një javë pushime larg shtëpisë.
Ky nivel mbetet më i larti në rajon, me 15 pikë përqindje mbi mesataren rajonale. Vetëm 39% e shtetasve shqiptarë janë në gjendje që të përballojnë një javë larg nga shtëpia, më e ulëta në rajon.
“Në Shqipëri, pamundësia për të përballuar pushimet lidhet me përdorimin e parave për shërbime më të domosdoshme. Psh 25% e të anketuarve thanë se kishin pasur të paktën një herë gjatë vitit të fundit vështirësi për të paguar faturat e drita dhe energji, nga 19% që është mesatarja rajonale.
19% kishin pasur probleme me pagesën e kësteve të kredisë; 52% kishin probleme që të mbanin shtëpinë të ngrohë (nga 24% që është mesatarja rajonale); 21% nuk kanë mundësi të përballojnë furnizimet bazë si ushqime, apo veshje (nga 17% mesatarja rajonale)”, thuhet në raport.
Të dytët pas Shqipërisë janë malazezët, me 50% të të anketuarve që kanë pohuar se nuk janë në gjendje të përballojnë një javë pushime jashtë vendit. Për Maqedoninë e Veriut ky tregues është 47% dhe për Serbinë 45%
Shtetasit e Kosovës, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve i kalojnë pushimet në Shqipëri mendojnë se janë në gjendje të përballojnë pushimet, shumë më tepër sesa shqiptarët. 38% e tyre kanë pohuar se nuk kanë mundësi të përballojnë pushime, ndërsa 58% e tyre mund t’i përballojnë ato.