Dronët ‘Bayraktar’ që bleu Kosova, si u prish Vuçiqi me Turqinë për shkak të armatosjes së Kosovës
As një muaj më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u shfaq në konferencë për media me nervozizëm të skajshëm ku u ankua gjerë e gjatë për Turqinë. Ndonëse kaherë me shtetin turk i ka argëtuar tonet më të buta e miqësore, Vuçiq do të shpërthente si asnjëherë më parë për një çështje: atë të armatosjes dhe fuqizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Më lejoni të tregoj diçka që njerëzit nuk e dinë…”
Kështu e kishte nisur fjalimin e tij të gjatë e denoncues ndaj Turqisë, ku tregonte se tashmë Forca e Sigurisë së Kosovës, kishte blerë dronë Bayraktarë – dhe jo veëtm – nga Turqia.
Serbia e cila në prill të vitit të kaluar ishte rrreshtuar prej shteteve të para për të blerë dronët e suksesshëm turk, tashmë ishte tërhequr nga këto blerje. Vuçiq njoftoi aty se Serbia do të tërhiqet krejtësisht nga këta dronë, dhe do t’i kthehej atyreve kineze, “por edhe nga Lindja e Mesme”; me këtë të fundit aludonte te dronët kamikazë iranianë.
Vetëm sot, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi për herë të parë dhe tregoi me fotografi dronët e rinj turkë që janë blerë nga shteti kosovar.
“Arsenalit të ushtrisë sonë i kemi shtuar edhe dronë Bayraktar TB-2 të cilët i kemi blerë si Qeveri nga Turqia! Në dy vjet qeverisje e kemi shtuar për mbi 80% numrin e ushtarëve dhe mbi 100% buxhetin për ushtrinë. Kosova tash është edhe më e sigurt përveçse gjithnjë krenare! Me Komandantin e FSK-së gjenerallejtnant Bashkim Jashari dhe Ministrin e Mbrojtjes Armend Mehaj përgëzuam oficerët që e kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve”, shkroi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Vuçiq, madje, pretedonte se Turqia jo vetëm që u ka shitur dronë, por u ka dhënë edhe “raketa anti-tank, topa gjuajtës me rreze të gjatë”, ndërsa shtetin turk e denonconte se “po armatos seriozisht FSK-në”.
Dronët bajraktarë më s’do të jenë diçka që Serbia do t’u shkojë pas, njoftonte ai.
“Ne refuzuam të blejmë bajraktarë sepse ata ia dhanë Prishtinës. Nuk do të bashkëpunojmë më me ta në këtë. Dronët kinezë, CH-90, na kanë ardhur kohëve të fundit. Brenda pesë muajsh, do të kemi 1 mijë dronë kamikazë që i kemi porositur nga Lindja e Mesme, për të parandaluar një agresor potencialc”, shtoi Vuçiq.
Madje, për të mos u mjaftuar dhe ndaluar se denoncuari Turqinë, Aleksandar Vuçiq – ndonëse mirëmban raporte të afërta me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan – thoshte se Turqisë i ka mbetur vetëm edhe një gjë e vetme të bëjë për FSK-në: “T’ua ngrisin edhe flamurin në NATO”.
Betimet e kryetarëve / Armatimi i FSK-së nga Turqia nervozon tejmase Vuçiqin: Vetëm flamurin e NATO-s s’ua kanë ngritur ende.
“Nuk e kanë ngritur flamurin ende sepse NATO s’ua ka dhënë. Kanë optikë imazhesh termike, me rreze të gjatë dhe ne duhet të kemi kujdes të tepërt dhe të kemi mjete adekuate nëse kërcënohen njerëzit tanë”, pati thënë ai.
Presidenti i Serbisë madje mes tjerash thoshte se Ushtria e Serbisë është “shumë më e madhe” se Forca e Sigurisë së Kosovës “por ditë e më shumë po armatosen e pajisnet, në rend të parë përmes mjeteve turke”.
Vuçiq, në prill të vitit të kaluar, në një takim në Beograd me Erdoganin, pati njoftuar se Serbia ka ndarë “disa qindra milionë euro” për të blerë dronët sulmues Bayraktar.