Vdekje e dyshimtë në Prizren, policia po heton rastin
Një rast i rëndë ka ndodhur të hënën pasdite në Spitalin Rajonal në Prizren, ku vdiq një grua, e cila fillimisht ishte transferuar nga Emergjenca e Suharekës, në gjendje të rëndë shëndetësore. Përkundër intervenimeve mjekësore në këto dy qendra, viktima nuk arriti të mbijetojë dhe vdiq pas më pak se një ore, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu kanë bërë me dije burimet brenda spitalit, me ç’rast njoftuan se bëhet fjalë për një 54-vjeçare nga Semetishti e Suharekës, e cila dyshohet se ka pasur shenja të depresionit dhe ka qenë në gjendje të rënduar emocionale.
Sinjali mëson se posa Policia është njoftuar për vdekjen e saj, njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, për të marrë informacionet e para për rrethanat e rastit.
Lidhur me rastin, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar me t’u përfunduar ekzaminimet e nevojshme, trupi i pajetë të tërhiqet për t’u dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Me vendim të tij, rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë” dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur në plotni të gjitha rrethanat në të cilat ka vdekur 54-vjeçarja.
Sinjali do të iu mbajë të informuar për detajet e reja të rastit.