Komuna e Skenderajt ia jep tokën në shfrytëzim “Rukollit” me vendime të pabazuara në ligje
Në vitin 2009, Komuna e Skenderajt kishte marrë vendim për dhënien në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale në vendin e quajtur “Fshat”, në tokën e cila gjendej në rr. 28 Nëntori. Pas kësaj, përmes kontratës, afati kohor për dhënien në shfrytëzim të kësaj prone ishte përcaktuar për 40 vjet e ku parashihej ndërtimi i objektit afaristo-banesor që tashmë është emërtuar “Rukolli III”.
Në kohën e nxjerrjes së vendimit kishte qenë në fuqi Ligji për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligji nr. 02/L-44 për Procedurën e Dhënies së Koncesioneve. Vendimi mbi caktimin e lokacionit dhe zhvillimit të procedurës së koncesionit për objektin afaristo-banesor i datës 22 maj 2009 nuk përmban dispozitat e këtyre ligjeve.
Ky vendim i referohet ligjeve që rregullojnë materie të ndryshme sa i përket ndërtimit, standardeve ndërtimore dhe procedurës administrative, por që në asnjë prej këtyre ligjeve nuk përfshihet dhënia me koncesion e tokës komunale.
“Në vendimin e datës 22.05.2009 nuk është përcaktuar afati për dhënien në shfrytëzim për faktin se legjislacioni i asaj kohe nuk ka përcaktuar decidivisht siç e përcakton tash Ligji për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës Komunale. Pra vendimi i datës 22.05.2009 është mbështetur në legjislacionin bazik, përkatësisht Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, i cili përcakton vetëm të drejtën e Komunave për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale”, thuhet në përgjigjën e Komunës së Skenderajt.
Në kohën kur është nënshkruar kontrata mes Rukollit dhe Komunës, ka qenë në fuqi Ligji nr. 03/L-090 mbi Partneritetet Publiko-Private dhe Koncesionet në Infrastrukturë dhe Procedurat për dhënien e tyre. Pra, përderisa vendimi është miratuar gjatë kohës sa ka qenë në fuqi një ligj, në kohën e nënshkrimit të kontratës kishte qenë në fuqi një ligj tjetër.
Ndërsa, pretendimi i Komunës se vendimi i 22 majit 2009 është mbështetur në legjislacionin bazik përkatësisht në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, nuk është reflektuar në vendim, pasi në bazën ligjore të tij nuk është cituar ky ligj.
Nga kjo kontratë komuna do të ishte përfituese e 21 për qind të vlerës me të cilën ishin vlerësuar njësitë e këtij objekti e që si bazë për caktimin e çmimit ishte marrë një rregullore komunale për caktimin e çmimeve për banesat komunale dhe private.
Me një kalkulim të thjeshtë matematikor, duke u bazuar në çmimin që ishte caktuar në bazë të kontratës, atëherë i bie që, komuna nga shitja e banesave dhe lokaleve afariste do të përfitonte mbi 600 mijë euro, ndërsa kompania “Rukolli” mbi 3 milionë euro, gjithnjë sipas kontratës mes dy subjekteve. Në dhënien me koncesion të një prone shtetërore apo komunale, qëllimi duhet të jetë interesi publik.
Arsyeshmëria e këtij koncesionimi nuk ishte bërë në vendim, por në një dokument tjetër, i cili nuk përmban as numër të lëndës e as numër protokolli.
Në bazë të këtij dokumenti, dhënia e pronës së paluajtshme komunale me koncesion mbështetet në dhjetë pika të arsyeshmërisë.
Në mesin e këtyre dhjetë pikave të arsyeshmërisë përshihet përfitimi i vlerës së investimit, zgjidhja e çështjes së banimit, punësimi i fuqisë punëtore, kursimi i tokës etj.
“Betimi për Drejtësi” është interesuar se për çfarë arsye disa nga komunat e tjera në Kosovë i kanë dhënë në shfrytëzim tokat e tyre komunale.
Në një përgjigje me shkrim nga Zyra për Informim në Komunën e Prizrenit thuhet se arsyeja që ata kanë dhënë pronat komunale me koncesion ndërlidhet me qëllim të rritjes ekonomike të vlerës së pronës, përfitimet nga qiratë e lokaleve si dhe disa njësi banesore të jepen për qëllime sociale.
“Komuna e Prizrenit sipas të dhënave që i posedojmë, në gjashtë (6) raste u është dhënë prona operatorëve ekonomiko-privatë për ndërtimin e objekteve banesore, kurse interesi publik së pari ka qenë rritja ekonomike e vlerës së pronës komunale, kurse së dyti në disa raste Komuna e Prizrenit ka përfituar lokale të cilat jepen në shfrytëzim me qira, e në disa raste të tjera Komuna e Prizrenit ka përfituar banesa të cilat mandej u janë shpërndarë rasteve sociale, familjeve të dëshmorëve, familjeve të invalidëve të luftës, etj.”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit.
Në çështje të ngjashme, nga Komuna e Lipjanit kanë thënë se njësitë banesore në pronësi të komunës u janë dhënë familjeve në nevojë, ndërsa lokalet u janë dhënë në shfrytëzim bizneseve përmes ankandeve.
“Nuk ka pasur prona të dhëna me koncesion për ndërtimin e objekteve banesore, përveç që janë zbatuar ato të cilat kanë qenë të dhëna më herët në mandatin e kryetarit të mëhershëm. Banesat në pronësi të komunës nga këto koncesione i janë dhënë për banim përmes konkurseve familjeve në nevojë.Ndërsa, lokalet në pronësi të komunës nga këto koncesione përmes ankandit u janë dhënë në shfrytëzim bizneseve”, thuhet në përgjigjën Komunës.