Lajmi i fundit: Foshnja vdes pas lindjes, babai denoncon për neglizhencë stafin e Gjinekologjisë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në repartin e Gjinekologjisë në Spitalin Rajonal në Prizren, ku një foshnjë ka ndërruar jetë pak minuta pasi erdhi në këtë botë.
Burimet sinjalit bëjnë me dije se Prokuroria ka nisur hetimet lidhur me rastin, pasi që babai i foshnjës tashmë të ndjerë, dyshon se kjo ka ndodhur për shkak të neglizhencës së stafit mjekësor.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, teksa me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Sinjali ka kontaktuar me shefin e repartit të Gjinekologjisë në Prizren, Sabajdin Gjini, por i njëjti ka refuzuar të prononcohet, duke thënë se me rastin tashmë po merren organet e hetuesisë.
“S’muj me dhanë deklarata, se ajo ka ndodh herët në mëngjes. Merret tash Prokuroria. Nuk jam për prononcime. Merret hetuesia, foshnja është çu në obduksion, ekspertizën mjekoligjore, ka kush merret me këtë çështje”, tha Gjini.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’.