LAJME

E tmerrshme: Këta janë emrat e 3 të dyshuarve që rrëmbyen një grua dhe e dhunuan në furgon

Tre persona janë arrestuar të shtunën nga Policia në Obiliq, nën dyshimet se kanë rrëmbyer e më pas edhe dhunuar një grua.

Gjithçka dyshohet se ka ndodhur në fshatin Plemetin dhe tashmë janë zbuluar detajet dhe identiteti i tre të dyshuarve.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Ismet Halilin, Fadil Berishën, (të dy 37-vjeçarë), si dhe Muhamed Kurtin, 21-vjeçar.

Të njëjtit po dyshohen se kanë rrëmbyer një grua të moshës 43-vjeçare, të cilën e kanë marrë me forcë në automjet dhe më pas e kanë dërguar në fshatin Plemetin.

Rasti i trishtë ndodhi në furgon, ku tre të dyshuarit e keqtrajtuan seksualisht viktimën, me të cilën dyshohet se kanë kryer marrëdhënie seksuale, raporton Sinjali.

Abuzimi i të dyshuarve me viktimën u zbulua pasi kjo e fundit ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor, për shkak të shenjave të dhunës që kishe në trupin e saj.

Policia është njoftuar menjëherë për rastin dhe si rezultat njësitë përkatëse janë aktivizuar, duke ndërmarrë veprimet hetimore për kapjen e të dyshuarve.

Me rastin e arrestimit, është konfiskuar edhe furgoni, pronë e njërit prej të dyshuarve, ku dyshohet se ndodhi kjo ngjarje e  tmerrshme.

Ndaj tre të arrestuarve, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit policor dhe nisjen e hetimeve për zbardhjen e rrethanave në të cilat ka ndodhur rasti.

Back to top button