Vrasja në Podujevë: Kushëriri thotë se 54-vjeçari vrau djalin e tij për dy banesa në Fushë Kosovë
Ngjarja tragjike që ndodhi në fshatin Peran të Podujevës, më 13 qershor të vitit të shkuar, ku mbeti i vdekur Edonit Smajli, (32-vjeçar) të cilin dyshohet se e vrau babai i tij, Naim Smajli, (54-vjeçar), tronditi vendin. Gjatë ditës së djeshme është mbajtur shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ka dhënë dëshminë e tij Shefqet Smajli, djali i axhës së Naim Smajlit.
Sipas dëshmisë së Shefqetit, i akuzuari Naimi, ka vrarë djalin e tij Edonitin, shkaku i problemeve me dy banesa në Fushë Kosovë.
Dëshmitari ka thënë se një javë para ditës kritike i akuzuari Naim Smajli ishte paraqitur në Polici sikurse edhe i ndjeri Edoniti, për shkak se kishin pasur probleme pronësore. Sipas tij, Policia i kishte këshilluar të përmbaheshin nga veprimet e dëmshme.
Madje, Shefqet Smajli ka thënë se me të akuzuarin kishte pasur probleme pronësore, kishte pasur një proces gjyqësor civil por se i akuzuari nuk ishte paraqitur asnjëherë në gjykatë.
Dëshmitari ka treguar se në ditën kritike ishte telefonuar nga gruaja pasi kishte dëgjuar të shtëna në vendin ku i ndjeri po prente bari me traktor.
Shefqet Smajli tha se në vendin e ngjarjes kishte parë gëzhoja të kallashit dhe se i ndjeri Edoniti ishte i shtrirë për tokë afër traktorit.
Dëshmitari ka thënë se nuk e mbanë në mend se kur i kanë pasur raporte të mira me të akuzuarin Naim Smajlin.
Po ashtu dëshmitari Smajli sqaroi se i akuzuari Naim Smajli nuk i ka raportet e mira as edhe me fqinjët dhe familjarët e tjerë kryesisht për shkaqe pronësore.
Pasi dha dëshminë tij kryetarja e trupit gjykues gjykatësja Alltën Murseli pyeti palët për propozime të reja për dëgjimin e dëshmitarëve ku prokurorja Limani tha se nuk ka propozime të reja ndërkaq avokat Aslani propozoi dëshmitarët Gzim Gashin, Shukrije Smajlin, ekspertin mjeko-ligjor dhe ekspertin e psikiatrisë forenzike.
Mirëpo trupi gjykues refuzoi propozimin e avokatit Asllani për dëgjimin e dëshmitarëve Gashi dhe Smajli pasi që nuk kane qenë dëshmitarë okularë në ditën kritike, si dhe u refuzua dëgjimi i ekspertit mjeko-ligjore pasi që ekspertiza është e kuptueshme.
Ndërkaq u aprovua propozimi për dëgjimin e ekspertëve të psikiatrisë-forenzike, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Seanca e radhës për këtë çështje u caktua me 26 korrik të këtij vitit ku pritet të dëgjohen eksperti i psikiatrisë forenzike me emrin si në shkresat e lëndës.
Naim Smajli po akuzohet nga Prokuroria Themelore për veprën penale “Vrasje e rëndë” ndaj Edonit Smajli, ku i ndjeri ishte djalë i të akuzuarit si dhe për veprën penale “Mbajte në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.