Kurti: Në KEK ka pasur keqpërdorime edhe në të kaluarën, por s’janë trajtuar nga Prokuroria
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur për arrestimin e kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, duke thënë se për këtë ka një gëzim opozitar, raporton Gazeta Sinjali.
Kurti tha në seancën e kuvendit se në KEK ka pasur keqpërdorime edhe në të kaluarën, por nuk janë trajtuar nga ana e prokurorisë.
“Është e vërtetë që pati një gëzim opozitar për arrestimin e kryeshefit Krasniqi, mirëpo ky është fakt i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë që ka pasur shumë kryeshefa në KEK, ka pasur keqpërdorime marramendëse, mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë përkatësisht nga prokuroria”, tha Kurti.Ai theksoi se me rastin e kryeshefit të KEK-ut ka pasur gëzim tek opozita.
“Është e vërtetë që dje u arrestua kryeshefi i KEK-ut Nagip Krasniqi. Ai është në ndalje per 48 orë. Është sistemi i drejtësisë që merret me çështjen e drejtësisë. Kjo çështje ka fakte urojmë që ato të merren me profesionalizëm dhe përpikëri”, theksoi ai.