Mbi 47 mijë euro nëpër banka, banesë, shtëpi, tokë: Pasuria e kryeshefit të KEK-ut që pritet të arrestohet
Policia e Kosovës ka nisur bastisje në ambientet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe siç raportoi Nacionale, pritet arrestimi edhe i kryeshefit ekzekutiv, Nagip Krasniqit. Sa është i pasur personi që e mban këtë pozitë kaq të rëndësishme?
Burime të mirëinformuara të Nacionales kanë konfirmuar se njësia e krimeve ekonomike pritet ta arrestojë edhe drejtorin ekzekutiv të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
“Bastisja po bëhet edhe në zyrën e drejtorit të KEK-ut. Pritet edhe arrestimi i drejtorit Nagip Krasniqi,” – ka thënë ky burim.
Burimi ka treguar se dyshimet kanë të bëjnë me kontratat për renovimin e kaldajave së bllokut A5 dhe hetimet, kanë të bëjnë për shkak të keqpërdorimeve të një tenderi për remontin e Bllokut A5 të Termocentralit “Kosova A”.
Sa është i pasur anëtari i VV-së dhe kryeshefi i KEK-ut?
Personi që përveç që e mban pozitën e të parit në KEK, është edhe anëtar i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas deklarimit të pasurisë përgjatë vitit të kaluar, ai duket të jetë mjaft i pasur.
Si pasuri të paluajshtme, ai ka deklaruar një banesë me sipërfaqe rreth 90 metër katrorë, e cila arrin vlerën e 67 mijë e 500 eurove, po ashtu një shtëpi e cila kap vlerën prej 119 mijë e 763 eurove.
Krasniqi, posedon edhe një tokë bujqësore në vlerë të 3 mijë e 960 eurove, si dhe një hapësirë afariste me sipërfaqe prej 32 metër katrorë, e cila vlerësohet të jetë rreth 28 mijë e 800 euro.
Shtëpia dhe hapësira afariste, bëhet e ditur se janë në vlerë të përbashkët të z.Krasniqit me ndonjë person tjetër, ndërkaq, banesa dhe toka bujqësore janë të vetë deklaruesit.
Sipas formularit të Agjencisë Kundër Korrupsion, Krasniqi ka edhe letra me vlerë të 563 euro dhe 535 euro.
Por përveç kësaj, njeriu i VV-së duket se ka një shifër të lartë të parave që e mban nëpër banka.
Krasniqi në një prej bankave në vend i mban para të gatshme rreth 7 mijë e 810 euro, në një tjetër ai ka deklaruar se fëmijët e tij kanë 6 mijë e 302 euro dhe 300 euro të tjera.
Por, një shifër mjaft të lartë të parave ai e mban në një tjetër bankë, rreth 23 mijë e 164 euro, si dhe 9 mijë e 585 euro i ka deklaruar si para të gatshme në zotërim të bashkëshortes së tij.
Krejt këto, tregojnë se z.Krasniqi dhe familja e tij posedojnë para të gatshme plot 47 mijë e 161 euro.
Të hyra vjetore nga KEK ai i ka deklaruar 9 mijë e 85 euro, ndërkaq si paga të fëmijëve, i ka deklaruar 2 mijë e 763 euro dhe 900 euro të tjera.